Një incident i rëndë është raportuar të ketë ndodhur të enjten në qendër të Skenderajt, ku Lëvizja VETËVENDOSJE! pretendon se zëvendësministri i Financave, kandidati për deputet dhe kryetari i Qendrës së LVV-së në Skenderaj, Hysni Mehani, është sulmuar fizikisht nga kryetari i Komunës së Skenderajt, Sami Lushtaku, së bashku me shoqëruesit e tij.
Sipas reagimit zyrtar të LVV-së, ngjarja ka ndodhur në kafeterinë “Solo”, derisa Mehani po qëndronte me deputeten Arjeta Fejza dhe aktivistë të partisë.
Sipas këtij versioni, fillimisht Mehani është goditur me grusht, e më pas edhe me gotë në kokë. LVV pretendon se gjatë përpjekjes për të parandaluar përshkallëzimin e incidentit, është sulmuar edhe sekretari i Qendrës së LVV-së në Skenderaj, Bahri Zabeli, i cili po ashtu ka pësuar lëndime.
Ndërkohë, Spitali i Përgjithshëm “Dr. Sami Haxhibeqiri” në Mitrovicë ka konfirmuar se në orën 13:10, dy persona nga Skenderaj kanë kërkuar ndihmë mjekësore emergjente.
“Të dy personat kanë shenja lëndimesh; njëri ka lëndime fizike në fytyrë dhe kokë, ndërsa tjetri lëndime dhe gërvishje fizike”, thuhet në njoftimin e spitalit.
Lëvizja VETËVENDOSJE! e ka cilësuar incidentin si “sulm fizik banditesk” dhe ka kërkuar reagim urgjent nga organet e drejtësisë, si dhe dënim publik nga Partia Demokratike e Kosovës.
Deri në këtë fazë, nuk ka ende reagim zyrtar nga Sami Lushtaku apo PDK lidhur me akuzat, ndërsa pritet që rasti të sqarohet edhe nga organet e rendit.


