Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka publikuar përditësimin më të fundit të rezultateve për zgjedhjet e parakohshme parlamentare, ku deri në orën 19:40 janë procesuar 2,458 nga 2,691 vendvotime, ose 91.34% e totalit.
Sipas rezultateve aktuale, Lëvizja Vetëvendosje (LVV) ka siguruar edhe ulësen e 50-të në Kuvendin e Kosovës, duke mbledhur 300,011 vota, ose 43.65% të votave totale të numëruara deri më tani.
Në vendin e dytë renditet Partia Demokratike e Kosovës (PDK) me 143,917 vota apo 20.94%, që aktualisht i përkthehen në 23 ulëse, një mandat më pak krahasuar me rezultatet preliminare.
Ndërkohë, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka siguruar 117,452 vota ose 17.09%, duke mbajtur 19 ulëse në Kuvend, gjithashtu një mandat më pak se në fazën fillestare të numërimit.
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) vazhdon me 8 ulëse, pasi ka marrë 49,158 vota apo 7.15%.
Nga subjektet e komuniteteve joshumicë, Srpska Lista ka siguruar 9 ulëse me 42,732 vota (6.22%), ndërsa Kosova Demokratik Türk Partisi (KDTP) ka 2 ulëse me 5,420 vota.
Procesi i numërimit ende nuk ka përfunduar plotësisht. Brenda Kosovës, vetëm në Prishtina kanë mbetur pa u numëruar 73 vendvotime.
Po ashtu, në përfaqësitë diplomatike janë numëruar 33 nga 47 vendvotime, ndërsa një faktor vendimtar mbeten edhe mbi 100 mijë vota me postë, të cilat ende nuk janë përfshirë në rezultatet finale.
Me këtë ritëm, rezultati përfundimtar mund të sjellë ende lëvizje të vogla në ndarjen e mandateve, sidomos mes partive që ndodhen pranë pragjeve të mandateve shtesë.
