Presidenti francez Emmanuel Macron ka deklaruar se vendet evropiane duhet të kenë rol të drejtpërdrejtë në çdo proces negociues për përfundimin e luftës në Ukrainë.
Në përfundim të samitit të Bashkimi Evropian në Bruksel, Macron theksoi se Europa nuk mund të mbetet jashtë diskutimeve për një konflikt që prek drejtpërdrejt sigurinë e kontinentit.
“Kur të zhvillohen negociatat, europianët duhet të jenë në tryezë, sepse bëhet fjalë për interesat e Europës”, u shpreh ai.
Macron shtoi se presidenti i Këshillit Evropian, António Costa, mund të marrë pjesë në negociata, nëse roli i tij përcaktohet qartë.
Nga ana tjetër, Costa sqaroi se BE-ja nuk synon të marrë rolin e ndërmjetësit në bisedimet për paqe, por do të vazhdojë mbështetjen e palëkundur për Ukrainën.
“BE është në anën e Ukrainës dhe do të vazhdojë ta mbështesë gjatë dhe pas luftës”, deklaroi Costa, duke shtuar se deri tani nuk ka sinjale serioze nga Rusia për negociata të mirëfillta.
Ai nënvizoi gjithashtu rëndësinë e mbajtjes së kanaleve të drejtpërdrejta të komunikimit me Moskën, duke theksuar se BE duhet të përcjellë vetë mesazhet e saj dhe të mos mbështetet vetëm te interpretimet e palëve të treta.
Në të njëjtën linjë, presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen deklaroi se Ukraina dhe Europa duan paqe, ndërsa Rusia vazhdon të zgjedhë rrugën e dhunës.
Sipas saj, Europa duhet të jetë një nga arkitektet kryesore të një paqeje të drejtë dhe afatgjatë, me Ukraina në qendër të procesit.
Von der Leyen shtoi se, herët a vonë, Rusia do të detyrohet të ulet në tryezën e negociatave, kryesisht për shkak të presionit në rritje nga sanksionet evropiane ndaj Kremlinit.

