Ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka deklaruar se përshtatja graduale e pranisë së KFOR-it në Kosovë, përfshirë ndryshimet në praninë në urën mbi Ibër, është rezultat i përmirësimit të situatës së sigurisë dhe rritjes së kapaciteteve të institucioneve kosovare.
Maqedonci ka thënë se ky proces bazohet në vlerësime profesionale të situatës në terren dhe se nuk paraqet zvogëlim të nivelit të sigurisë për qytetarët apo komunitetet në Kosovë.
Sipas tij, Kosova ka ndërtuar ndër vite institucione profesionale dhe të besueshme të sigurisë, ndërsa bashkëpunimi me KFOR-in dhe partnerët ndërkombëtarë vazhdon të jetë i ngushtë.
“Siguria e të gjithë qytetarëve të Kosovës, pa dallim etnie, është dhe mbetet përgjegjësi dhe prioritet i institucioneve tona”, ka deklaruar Maqedonci.
Kritika ndaj narrativës së Serbisë
Maqedonci ka kritikuar përpjekjet e lidershipit politik dhe ushtarak të Serbisë për ta paraqitur optimizimin e pranisë së KFOR-it si kërcënim për komunitetin serb në Kosovë.
Sipas tij, një qasje e tillë nuk përputhet me vlerësimet profesionale të sigurisë dhe synon të krijojë perceptimin e një krize, ndonëse situata në terren, sipas institucioneve kosovare, paraqet progres.
Ai e ka lidhur këtë narrativë edhe me zhvillime të tjera të sigurisë në vend.
Përmend varrezën masive dhe armët në veri
Në deklaratën e tij, Maqedonci ka përmendur gjetjet lidhur me varrezën masive në Kalludër, zbulimin e armëve dhe pajisjeve në lokacione të ndryshme në veri të Kosovës, si dhe veprimet e institucioneve kosovare kundër rrjeteve të dyshuara të inteligjencës së Serbisë dhe aktiviteteve që i cilësoi si subversive.
Sipas tij, këto zhvillime duhet të trajtohen përmes fakteve, transparencës dhe përgjegjësisë institucionale, dhe jo përmes narrativave që prodhojnë frikë dhe tension.
“Republika e Kosovës nuk është burim i destabilitetit”, ka theksuar Maqedonci, duke e cilësuar Kosovën si shtet demokratik dhe partner të Shteteve të Bashkuara, NATO-s dhe aleatëve të saj.
“Siguria ndërtohet mbi fakte dhe bashkëpunim”
Maqedonci ka bërë të ditur se institucionet e Kosovës do të vazhdojnë të bashkëpunojnë ngushtë me KFOR-in dhe partnerët strategjikë për forcimin e kapaciteteve të sigurisë.
Ai ka theksuar se siguria dhe stabiliteti afatgjatë në rajon ndërtohen mbi fakte, bashkëpunim dhe përgjegjësi institucionale, duke kundërshtuar atë që e cilësoi si dezinformim dhe përpjekje për krijimin artificial të krizave.

