Kryeministri britanik Keir Starmer po përballet me spekulime të forta politike për të ardhmen e tij në detyrë, pas raportimeve në media britanike se ai mund të japë dorëheqjen dhe të shpallë një afat për largimin e tij.
Sipas gazetës Observer, Starmer pritet të bëjë një deklaratë që mund të sqarojë të ardhmen e tij politike të hënën, në një moment kur presioni brenda Partisë Laburiste është rritur ndjeshëm. Megjithatë, burime qeveritare cituar nga media theksojnë se kryeministri mbetet i fokusuar në detyrat e tij.
Raportimet vijnë në një periudhë të tensionuar për udhëheqësin britanik, i cili prej muajsh përballet me pakënaqësi brenda partisë dhe rënie të mbështetjes publike. Sipas mediave, situata u përkeqësua pas zhvillimeve të fundit politike që forcuan pozicionin e rivalëve të tij brenda Partisë Laburiste.
Në qendër të diskutimeve përmendet edhe deputeti dhe kryetari i bashkisë së Mançesterit, Andy Burnham, i cili sipas raportimeve ka fituar mbështetje të mjaftueshme për të hyrë në garë të mundshme për lidershipin e partisë.
Sipas të njëjtave burime, Starmer ka zhvilluar konsultime me ministra, këshilltarë, donatorë dhe përfaqësues sindikalë, ndërsa çështja e dorëheqjes është diskutuar edhe në rrethin e tij familjar.
Megjithatë, zyrtarë të tjerë të qeverisë kanë mohuar çdo vendim të menjëhershëm, duke theksuar se kryeministri ka deklaruar më herët se do të përballet me çdo sfidë brenda partisë dhe nuk synon të tërhiqet.
Situata politike në Mbretërinë e Bashkuar mbetet e paqartë, ndërsa një ndryshim i mundshëm në krye të qeverisë do të shënonte një tjetër fazë të paqëndrueshmërisë politike në vend gjatë dekadës së fundit.

