Gazeta britanike The Daily Telegraph i ka kushtuar një artikull shtetasit shqiptar Dorian Puka, i cili ndodhet në një betejë ligjore kundër vendimit të autoriteteve britanike për dëbimin e tij nga Mbretëria e Bashkuar.
Sipas raportimit, Puka vazhdon të publikojë në rrjetet sociale video ku shfaq stilin e tij luksoz të jetesës, ndërsa në një prej tyre shihet duke vendosur kartëmonedha paundësh përpara qenve të tij, një video që është bërë virale dhe ka tërhequr vëmendjen e mediave britanike.
Dënuar dhe dëbuar dy herë
Sipas The Daily Telegraph, Dorian Puka është dënuar dy herë me burg për vjedhje dhe është dëbuar dy herë nga Mbretëria e Bashkuar, por më pas është rikthyer ilegalisht në vend.
Media britanike shkruan se gjatë muajve të fundit ai ka publikuar vazhdimisht pamje ku ekspozon:
- makina luksoze, përfshirë një Ferrari dhe një Lamborghini Urus;
- disa ora luksoze Rolex;
- stilin e jetesës që pretendon se bën në Britani.
Përballet me dëbimin për herë të tretë
Puka po përballet me procedura për dëbimin e tretë, pasi autoritetet britanike kanë fituar një seancë në Gjykatën e Emigracionit lidhur me largimin e tij nga vendi, pas refuzimit të kërkesës për azil.
Ai e ka apeluar vendimin dhe, për këtë arsye, vazhdon të qëndrojë në Britani derisa procesi gjyqësor të përfundojë.
Sipas autoriteteve britanike, dënimet e mëparshme penale e bëjnë atë subjekt të dëbimit automatik.
Reagimi i Home Office
Një zëdhënës i Home Office deklaroi se personi në fjalë është një shtetas i huaj i dënuar për vepra penale dhe se autoritetet po ndërmarrin të gjitha veprimet ligjore për largimin e tij sa më shpejt të jetë e mundur.
Sipas deklaratës, për shkak se procedurat gjyqësore janë ende në zhvillim, nuk mund të jepen komente të tjera mbi rastin.
Debati politik në Britani
Rasti është përfshirë edhe në debatin politik mbi emigracionin dhe dëbimin e shtetasve të huaj të dënuar.
Politikani konservator Chris Philp ka kërkuar largimin e menjëhershëm të Pukës nga Mbretëria e Bashkuar, duke argumentuar se kriminelët e huaj nuk duhet të lejohen të qëndrojnë në vend përmes procedurave të gjata ligjore.
Ndërkohë, qeveria britanike ka paralajmëruar ndryshime ligjore që synojnë të përshpejtojnë procedurat për dëbimin e shtetasve të huaj të dënuar dhe të kufizojnë përdorimin e pretendimeve për azil ose të drejtave të njeriut si bazë për shtyrjen e largimit nga vendi.
Sipas raportimit të The Daily Telegraph, procesi gjyqësor ndaj Dorian Pukës vazhdon dhe vendimi përfundimtar mbi apelimin e tij ende nuk është marrë.The Daily Telgraph

