Sulmuesi i Kombëtares shqiptare, Mirlind Daku, është shumë pranë zyrtarizimit si futbollist i ri i Spartak Moscow, në një transferim që pritet të jetë më fitimprurësi në karrierën e tij.
Sipas raportimeve të mediave ruse, Spartaku ka aktivizuar klauzolën e lirimit të Dakut duke i paguar rreth 11 milionë euro Rubin Kazan, ndërsa sulmuesi 27-vjeçar do të përfitojë një kontratë me kushte financiare shumë të favorshme.
Sipas të njëjtave raportime, Daku do të ketë një përfitim prej rreth 3.75 milionë eurosh në sezon. Nga kjo shumë:
- 2.5 milionë euro do të jenë pagë fikse vjetore;
- 1.25 milionë euro do të përfitohen si bonus besnikërie për çdo sezon.
Përveç pagës, sulmuesi shqiptar do të arkëtojë edhe një bonus nënshkrimi prej 1.5 milionë eurosh.
Kontrata pritet të jetë e vlefshme për tre sezone, me mundësi zgjatjeje edhe për një vit shtesë. Nëse aktivizohet edhe viti i katërt dhe plotësohen të gjitha kushtet financiare të marrëveshjes, Daku mund të përfitojë deri në 16.5 milionë euro.
Ky transferim vjen pas një periudhe të suksesshme të Dakut te Rubin Kazani, ku ai u shndërrua në një nga sulmuesit më të spikatur të kampionatit rus.
Megjithatë, transferimi nuk është pritur pozitivisht nga të gjithë tifozët e Spartakut. Një pjesë e tyre kanë shprehur kundërshtimin ndaj afrimit të futbollistit shqiptar, duke shfaqur gjatë ditëve të fundit edhe pankarta me mesazhe fyese ndaj shqiptarëve.
