Inspektorati i Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor ka ndërmarrë aksion ndaj 9 gurthyesve që vepronin në kundërshtim me ligjin dhe pa dokumentacionin e nevojshëm.
Sipas deputetes së Vetëvendosjes, Fitore Pacolli, 7 gurthyes janë ndalur në Suharekë, ndërsa 2 në Skenderaj.
Aksioni është ndërmarrë pas analizimit të dosjeve të mbi 200 gurthyesve në vend.
Pacolli ka bërë të ditur se kontrollet në terren do të vazhdojnë dhe se çdo subjekt që konstatohet duke ushtruar veprimtari pa lejet dhe dokumentacionin përkatës do të përballet me masa.
“Nuk do të ketë tolerim për subjektet që operojnë pa lejet dhe dokumentacionin përkatës dhe cenojnë mjedisin”, ka deklaruar Pacolli.
Inspektorati pritet të vazhdojë aksionet në ditët në vijim, ndërsa në fokus do të jenë subjektet që operojnë pa autorizime dhe në kundërshtim me kërkesat ligjore për mbrojtjen e mjedisit.
