Policia e Kosovës ka njoftuar se për shkak të organizimit të maratonës ndërkombëtare “Prishtina 2026”, të dielën, më 20 shtator, do të bllokohet qarkullimi në disa rrugë në Prishtinë dhe në rajonin e Fushë-Kosovës, përfshirë edhe një pjesë të autostradës.
Sipas Policisë, janë ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për garantimin e sigurisë së pjesëmarrësve në maratonë, si dhe për menaxhimin e qarkullimit rrugor gjatë zhvillimit të garës.
Policia do të përcaktojë lirimet, kufizimet dhe bllokimet e plota apo të pjesshme në segmente të caktuara rrugore, me qëllim orientimin e trafikut dhe krijimin e rrjedhshmërisë sa më të mirë në rrugët alternative.
Nga ora 09:00 bllokohet rruga Prishtinë–Fushë-Kosovë
Sipas njoftimit të Policisë, të dielën, më 20 shtator 2026, nga ora 09:00 deri në përfundim të maratonës, do të ndërpritet qarkullimi i automjeteve në rrugën Prishtinë–Fushë-Kosovë, në drejtim të Pejës dhe anasjelltas, deri te nyja e autostradës “Ibrahim Rugova”.
Për të shmangur vështirësitë në komunikacion, Policia ka publikuar edhe rrugët alternative që duhet të përdoren nga drejtuesit e automjeteve.
Rrugët alternative
1. Nga Peja drejt Prishtinës:
Ngasësit duhet të përdorin rrugën përmes Sllatinës – fshatit Magurë – Lipjan, dhe më pas të lidhen me rrugën nacionale Ferizaj–Prishtinë.
2. Nga Peja dhe Fushë-Kosova:
Rekomandohet rruga përmes Sllatinës – Bardhit të Vogël – fshatit Kuzmin – Fushë-Kosovë.
3. Nga Prishtina ose Veterniku drejt Pejës/Aeroportit:
Rruga alternative është Prishtinë – Lipjan – Rufc i Ri – Poturoc – Magurë – Aeroport.
4. Nga Mitrovica drejt Pejës ose Aeroportit:
Ngasësit duhet të shfrytëzojnë autostradën nga Mazgiti në drejtim të Shkupit, të dalin në Lipjan dhe më pas të vazhdojnë nëpër Rufc i Ri – Poturoc – Magurë – Aeroport.
5. Nga Mitrovica drejt Ferizajt:
Qarkullimi do të jetë i lirë në rrugën nacionale dhe nuk parashikohen ndalesa në këtë relacion.
Çfarë duhet të bëjë transporti publik?
Autobusët në relacionin Prishtinë – Fushë-Kosovë – Aeroport, si dhe ata në drejtim të Pejës, nuk duhet të qarkullojnë në segmentet e bllokuara gjatë kohës së zhvillimit të garës.
Edhe transporti publik duhet të përdorë rrugët alternative të përcaktuara nga Policia e Kosovës.
Policia ka kërkuar mirëkuptimin e qytetarëve dhe u ka bërë thirrje drejtuesve të automjeteve që t’i respektojnë udhëzimet e zyrtarëve policorë dhe sinjalistikën rrugore gjatë zhvillimit të maratonës.

