Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), gjenerallejtënant Bashkim Jashari, ka marrë pjesë në konferencën e Kartës së Adriatikut A5, e cila këtë vit është mbajtur në Zadar të Kroacisë.
Konferenca është zhvilluar nën drejtimin e komandantit të Komandës Amerikane për Evropë (EUCOM), gjeneral Alexus G. Grynkewich, me mikpritjen e Forcave të Armatosura të Kroacisë dhe pjesëmarrjen e shefave të mbrojtjes nga vendet e Ballkanit Perëndimor.
Gjatë konferencës së nivelit të lartë, vëmendje e veçantë iu kushtua sfidave aktuale gjeopolitike dhe nevojës për rritjen e bashkëpunimit rajonal në Ballkan, me synim forcimin e stabilitetit dhe sigurisë në rajon.
Jashari zhvillon takime me drejtues të lartë ushtarakë
Në margjinat e konferencës, komandanti i FSK-së zhvilloi takime dypalëshe me drejtues të lartë ushtarakë ndërkombëtarë, përfshirë komandantin e EUCOM-it, gjeneral Alexus G. Grynkewich, si dhe zëvendëskomandantin e Komandës së Forcave të Përbashkëta Aleate në Napoli (JFC Naples), gjeneral Peter K. Scot.
Sipas njoftimit, në këto takime u diskutua për thellimin e ndërveprueshmërisë mes forcave, koordinimin e përbashkët operacional dhe mbështetjen strategjike që aleatët euroatlantikë ofrojnë për zhvillimin e kapaciteteve të mbrojtjes.
Jashari u takua gjithashtu me komandantin e Gardës Kombëtare të Ajovës, gjeneralmajor Stephen Osborn. Në këtë takim u diskutua për rritjen e bashkëpunimit dhe forcimin e partneritetit mes dy forcave.
Jashari kërkon anëtarësimin e Kosovës në Kartën e Adriatikut
Gjatë fjalës së tij në konferencë, gjenerallejtënant Bashkim Jashari prezantoi vizionin e Kosovës për të ardhmen e sigurisë rajonale dhe bëri kërkesë zyrtare që Kosova të pranohet me të drejta të plota në Kartën e Adriatikut A5.
Sipas tij, tranzicioni i suksesshëm i FSK-së dhe gatishmëria e saj për të kontribuar në misione ndërkombëtare e bëjnë Kosovën një partner të besueshëm dhe të natyrshëm në strukturat dhe iniciativat e sigurisë euroatlantike.
Jashari theksoi se Kosova synon të jetë pjesë e plotë e këtyre strukturave dhe të kontribuojë në forcimin e sigurisë dhe bashkëpunimit rajonal.

