Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, së bashku me ministrin në detyrë të Infrastrukturës dhe Transportit, Dimal Basha, kanë inauguruar fillimin e punimeve për rikonstruktimin e rrugës rajonale R110, në segmentin Arllat–Malishevë, me gjatësi rreth 11.8 kilometra.
Me këtë rast, Kurti theksoi se lidhja e Malishevës me rrjetin rajonal dhe nacional të rrugëve, si dhe me autostradën “Ibrahim Rugova”, i jep këtij aksi rëndësi strategjike për zhvillimin e zonës.
Sipas tij, modernizimi i rrugës do të lehtësojë qarkullimin e qytetarëve, do të rrisë sigurinë në trafik dhe do të krijojë kushte më të mira për transportin e mallrave dhe zhvillimin ekonomik.
“Pra, përfitojnë edhe qytetarët edhe bizneset”, u shpreh Kurti.
Vlera e kontratës për këtë projekt është rreth 1.85 milionë euro, ndërsa afati për përfundimin e punimeve është 150 ditë pune.
Projekti, përveç asfaltimit dhe zgjerimit të rrugës në disa segmente, përfshin rehabilitimin e plotë të trupit të rrugës në pjesët e dëmtuara, sanimin e gjashtë zonave me rrëshqitje të dheut, ndërtimin e strukturave mbajtëse në pikat kritike, si dhe përmirësimin e sistemit të drenazhimit dhe largimit të ujërave sipërfaqësore.
Po ashtu parashihen ndërtimi dhe rehabilitimi i kanaleve anësore, rregullimi i kyçjeve ekzistuese dhe lidhjeve me rrugët lokale, si dhe ndërtimi i trotuareve dhe vendndalesave të autobusëve në zonat e banuara.
Në fund të projektit do të vendoset sinjalizim horizontal dhe vertikal sipas standardeve evropiane, përfshirë vijat rrugore, tabelat orientuese dhe elementet reflektuese për rritjen e sigurisë në komunikacion.

