Një grup delegatësh të Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka nisur mbledhjen e nënshkrimeve për thirrjen e një mbledhjeje të jashtëzakonshme të Kuvendit të partisë, me synimin që në rend dite të vendoset kërkesa për shkarkimin e kryetarit Lumir Abdixhiku.
Sipas informacioneve, për thirrjen e mbledhjes së jashtëzakonshme nevojiten nënshkrimet e një të tretës së delegatëve të Kuvendit të LDK-së. Nga gjithsej 355 delegatë, kërkohen të paktën 118 nënshkrime, por deri tani ky numër ende nuk është arritur.
Abdixhiku nuk ka komentuar publikisht nismën, pasi deri në momentin e publikimit të lajmit nuk i është përgjigjur kërkesave për deklaratë.
Nisma vjen pas pakënaqësive të shprehura brenda partisë pas zgjedhjeve të 7 qershorit. Javën e kaluar, degët e LDK-së në Pejë, Lipjan dhe Dega II në Prishtinë kërkuan dorëheqjen e Abdixhikut, duke argumentuar se rezultati zgjedhor ishte nën pritjet. Kërkesës iu bashkua edhe deputetja e zgjedhur Hykmete Bajrami.
Në reagim, Abdixhiku kërkoi dorëheqjen e kryetarit të Degës së LDK-së në Pejë, Gazmend Muhaxheri, si dhe të kryetarit të Degës në Lipjan, Imri Ahmeti, duke i konsideruar ata përgjegjës për rezultatet e dobëta në degët që drejtojnë.
Kreu i LDK-së kishte deklaruar më herët se Kuvendi i rregullt i partisë do të mbahet gjatë vitit 2027.
Pas zgjedhjeve të 28 dhjetorit, Abdixhiku kishte ofruar dorëheqjen nga posti i kryetarit të partisë, por më 31 janar, Kuvendi i LDK-së e refuzoi kërkesën e tij, duke i ripërtërirë besimin për të vazhduar në krye të partisë.

