Marshi do të nisë në orën 11:30 nga Qendra e Studentëve dhe do të përfundojë në sheshin “Skënderbeu”, ku studentët do të mbajnë fjalime.
Parlamenti Studentor i Universitetit të Prishtinës ka bërë thirrje për pjesëmarrje në marshin paqësor që do të mbahet më 21 shtator, në shenjë kundërshtimi ndaj vendimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Sipas njoftimit të Parlamentit Studentor, marshi do të nisë në orën 11:30 nga Qendra e Studentëve, ndërsa do të vazhdojë drejt sheshit “Skënderbeu”, ku në orën 12:00 janë paralajmëruar fjalime të studentëve.
Kastrati: Marshi është thirrje për unitet dhe solidaritet
Në një konferencë për media, Flon Kastrati nga Parlamenti Studentor tha se organizimi synon të përcjellë mesazhe për unitet, dinjitet dhe solidaritet.
“Parlamenti Studentor i Universitetit të Prishtinës e ndjen si obligim moral që ta ngrejë zërin për zhvillimet e fundit, pas vendimit të Gjykatës Speciale. Si studentë dhe si brez i ri, jemi të vetëdijshëm për luftën e drejtë të popullit tonë dhe rolin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në çlirimin e vendit”, tha Kastrati.
Ai bëri thirrje që studentët, të rinjtë dhe qytetarët t’i bashkohen marshit.
Kastrati njoftoi gjithashtu se studentët e UP-së, së bashku me studentë nga universitete të tjera publike dhe private, kanë përgatitur një memorandum me gjashtë pika, i cili pritet të lexohet gjatë aktivitetit dhe të publikohet pas përfundimit të marshit.
Humolli: Kërkojmë mbështetje për të akuzuarit
Ndërkaq, Donart Humolli nga Parlamenti Studentor tha se studentët e konsiderojnë vendimin ndaj ish-krerëve të UÇK-së si të padrejtë dhe kërkoi mbështetje për ta deri në përfundimin e procesit gjyqësor.
“Parlamenti Studentor i Universitetit të Prishtinës ndjen obligim moral dhe përgjegjësi qytetare që të ngrejë zërin sot ndaj vendimit që e konsiderojmë thellësisht të padrejtë ndaj çlirimtarëve tanë”, tha Humolli.
Ai kërkoi mbështetje financiare, politike dhe morale për të akuzuarit, si dhe bëri thirrje për atë që e cilësoi si “Unitet Kombëtar”.
“Si Parlament Studentor dhe si studentë, jemi të vetëdijshëm se po kalojmë nëpër një situatë të vështirë dhe të rëndë. Për këtë arsye, e shohim më se të nevojshme të bëjmë një thirrje të hapur për Unitet Kombëtar”, tha ai.
Thirrje partive politike për bashkëpunim
Humolli iu drejtua edhe partive politike, duke kërkuar që, sipas tij, të vendosin unitetin mbi interesat ditore.
“Me këtë rast, shfrytëzojmë rastin t’u bëjmë thirrje të gjitha partive politike në vend që të tregojnë pjekuri, të gjejnë gjuhën e bashkëpunimit dhe të vendosin unitetin mbi interesat ditore, për hir të gjeneratave që po vijnë”, deklaroi Humolli.
Ai tha se Parlamenti Studentor kërkon gjithashtu hetim dhe monitorim të procesit gjyqësor në Hagë nga organizatat ndërkombëtare të të drejtave të njeriut.
Sipas tij, procesi duhet të ketë transparencë dhe monitorim ndërkombëtar.
Kërkohet koordinim i organizatave rinore
Në fund, Humolli u bëri thirrje organizatave dhe përfaqësuesve të rinisë kosovare që të koordinohen përmes një strategjie të përbashkët.
“I bëjmë thirrje të gjithë aktorëve rinorë, përfaqësuesve të rinisë dhe organizatave të ndryshme ku të rinjtë e Kosovës janë të kyçur, qoftë në nivel rajonal apo evropian, platforma të ngjashme, që të koordinohemi përmes një strategjie të përbashkët”, tha ai.
Marshi është paralajmëruar të mbahet më 21 shtator, me nisje nga Qendra e Studentëve në orën 11:30, ndërsa aktiviteti do të vazhdojë në sheshin “Skënderbeu”.
