Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka dorëzuar në Gjykatën Kushtetuese kërkesën për vlerësimin e kushtetutshmërisë së vendimeve dhe procedurave që lidhen me konstituimin e Legjislaturës XI të Kuvendit të Kosovës.
Kërkesa është dorëzuar më 14 shtator nga kryetari i Grupit Parlamentar të PDK-së, Arian Tahiri, deputeti Përparim Gruda dhe avokati Faton Fetahu.
Tahiri tha se PDK-ja po i drejtohet Gjykatës Kushtetuese për të marrë një përgjigje përfundimtare lidhur me, siç pretendon ai, shkeljet që kanë përcjellë procesin e konstituimit të Kuvendit.
“Sot po e dorëzojmë në Gjykatën Kushtetuese këtë lëndë, sepse pas gjithë asaj që ka ndodhur në Kuvend, është e domosdoshme që institucioni më i lartë i interpretimit të Kushtetutës ta thotë fjalën e vet. Kushtetuta dhe rendi kushtetues nuk mund të varen nga kalkulimet politike të askujt”, tha Tahiri.
Deputeti Përparim Gruda deklaroi se qëllimi i kërkesës është, sipas tij, rikthimi i funksionimit institucional mbi bazën e Kushtetutës.
“Ne po kërkojmë rikthimin e rendit kushtetues, jo vendosjen e rendit të Vetëvendosjes. Në Republikën e Kosovës rregullat i përcakton Kushtetuta, jo vullneti politik i një partie dhe as interpretimet që ndryshojnë varësisht prej interesit të momentit”, deklaroi Gruda.
Ndërkaq, avokati Faton Fetahu bëri të ditur se, përveç kërkesës kryesore, PDK-ja ka kërkuar edhe vendosjen e një mase të përkohshme.
“I kemi kërkuar Gjykatës Kushtetuese që të vendosë menjëherë masë të përkohshme, në mënyrë që të parandalohet prodhimi i pasojave të mëtejshme juridike dhe institucionale nga një proces, kushtetutshmëria e të cilit tashmë është kontestuar para Gjykatës”, tha Fetahu.
Në kërkesën e PDK-së kontestohet vendimi i 9 shtatorit 2026 për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit, vendimi procedural i 11 shtatorit për mënyrën e votimit të nënkryetarëve, si dhe konstatimi i 13 shtatorit për konstituimin e Legjislaturës XI të Kuvendit të Kosovës.
PDK kërkon që Gjykata Kushtetuese t’i vlerësojë këto vendime dhe procedura dhe të përcaktojë pasojat juridike të shkeljeve eventuale kushtetuese.
Partia Demokratike e Kosovës ka bërë të ditur gjithashtu se më 15 shtator do ta dorëzojë në Gjykatën Kushtetuese edhe lëndën që lidhet me formimin e Qeverisë së Kosovës.

