Partia Demokratike e Kosovës (PDK) i ka bërë thirrje deputetit Albin Kurti që të thërrasë seancën konstituive të Kuvendit dhe të nisë procesi për konstituimin e institucioneve të reja.
Deputetja e PDK-së, Eliza Hoxha, në një konferencë për media para objektit të Qeverisë, tha se deputetët e Grupit Parlamentar të PDK-së janë aty për të kundërshtuar hyrjen e Kurtit në institucionin e Qeverisë, për të cilin ajo pretendon se është “marrë peng”.
Hoxha tha se Kurti, në vend që të pengojë procesin parlamentar, duhet të kthehet në Kuvend dhe të krijojë kushtet për konstituimin e tij.
“Kurti duhet ta kuptojë që, në vend se ta sabotojë Kuvendin, ai duhet të vijë aty dhe të krijojë mundësi për ta konstituuar Kuvendin. Ajo është puna e tij parësore që duhet ta bëjë si fitues i zgjedhjeve të fundit: ta propozojë emrin dhe të ecim përpara në themelimin e institucioneve”, deklaroi Hoxha.
PDK: Kurti nuk mund të jetë mbi shtetin
PDK-ja e përsëriti kërkesën që seanca konstituive të thirret sa më parë, duke e cilësuar këtë si hap të domosdoshëm për nisjen e punës së Legjislaturës së XI-të të Kuvendit.
Hoxha tha se asnjë subjekt politik dhe asnjë deputet nuk mund të vendoset mbi institucionet e Republikës së Kosovës.
“Albin Kurti nuk mund të jetë mbi shtetin e Kosovës, partia e tij nuk mund të jetë mbi shtetin e Kosovës dhe mbi Kushtetutën e Kosovës”, tha ajo.
Sipas saj, deputetët duhet të kthehen në Kuvend për të nisur procedurat e konstituimit të institucioneve dhe për të rikthyer, siç u shpreh ajo, “rendin kushtetues”.
Deklaratat e PDK-së vijnë në një periudhë të tensionuar politike, ndërsa partitë parlamentare vazhdojnë përplasjet rreth mënyrës dhe hapave që duhet të ndiqen për konstituimin e institucioneve të reja të Kosovës.

