Zyrtari i Partisë Demokratike të Kosovës, Arian Tahiri, ka akuzuar kryeministrin Albin Kurti për thellimin e krizës politike në vend, duke e cilësuar atë si “njeri që prodhon vetëm drama”.
Në një konferencë për media, Tahiri tha se situata aktuale, ku vendi mbetet pa president, është pasojë direkte e veprimeve të kryeministrit.
“Rezultat i dramave të tij jemi këtu sonte, pa president dhe me tendencë për t’u cenuar rendi kushtetues,” deklaroi ai.
Tahiri bëri të ditur se PDK kishte marrë një propozim nga Kurti që kjo parti të paraqiste një kandidat për president, ndërsa Lëvizja Vetëvendosje një kandidat tjetër, për të hyrë në një garë.
Megjithatë, ai e cilësoi këtë ofertë si të pakuptimtë, duke theksuar se balanca e votave në Kuvendin e Kosovës e bën rezultatin të parashikueshëm.
“I dimë numrat, ata kanë 66 deputetë, ne 22. Epilogu dihet paraprakisht. Ishte tërësisht joserioze,” u shpreh Tahiri.
Ai shtoi se PDK kishte shprehur gatishmëri për bashkëpunim vetëm në rast se do të kishte një marrëveshje të formalizuar, por sipas tij kjo nuk ndodhi.
“Pasi nuk u formalizua marrëveshja, ne u kemi uruar suksese në zgjedhjen e presidentit me partitë tjera,” përfundoi ai.
Deklaratat e PDK-së vijnë në një moment tensioni të lartë politik në Kosovë, ku mungesa e konsensusit mes partive po e thellon krizën institucionale dhe po e çon vendin drejt një skenari gjithnjë e më të mundshëm të zgjedhjeve të reja.
