Policia e Kosovës ka njoftuar se ka parandaluar një rast të dyshuar të kontrabandës me mallra në komunën e Zubin Potokut, ku është arrestuar një person dhe janë sekuestruar mallra të dyshuara të kontrabanduara.
Sipas njoftimit të Policisë, rasti ka ndodhur më 19 korrik, rreth orës 03:38, në fshatin Bube, gjatë një patrullimi rutinë të njësive policore.
Gjatë patrullimit, zyrtarët policorë kanë vërejtur disa automjete të dyshuara, të cilat nuk iu janë bindur urdhrave për ndalim. Policia ka bërë të ditur se, në përputhje me autorizimet ligjore, ka përdorur armën zyrtare gjatë ndërhyrjes.
Si rezultat i operacionit, është arrestuar një person dhe është ndaluar një automjet i tipit VW Sharan, në të cilin janë gjetur pije alkoolike dhe joalkoolike pa dokumentacion përcjellës.
Sipas dyshimeve fillestare, mallrat ishin kontrabanduar nga Serbia në Republikën e Kosovës.
Policia ka bërë të ditur se nga incidenti nuk ka persona të lënduar. Në vendngjarje kanë dalë njësitë kompetente të hetimeve dhe forenzikës, ndërsa automjeti dhe mallrat janë sekuestruar.
Me urdhër të prokurorit të shtetit është iniciuar rasti për veprën penale “Kontrabandimi i mallrave”, ndërsa personi i arrestuar është ndaluar për 48 orë.
Policia e Kosovës ka deklaruar se do të vazhdojë angazhimin në luftimin e kontrabandës dhe veprimtarive të tjera të kundërligjshme në vend.

