Deputetja e zgjedhur e Kuvendit të Kosovës, Hykmete Bajrami, ka bërë të ditur se ka dorëzuar kallëzim penal në Prokurorinë e Shtetit dhe Prokurorinë Speciale lidhur me gjendjen në deponinë regjionale të mbeturinave në Sferkë të Pejës.
Përmes një reagimi publik, Bajrami tha se kallëzimi penal i është adresuar Kryeprokurorit të Shtetit, Zejnullah Gashit, dhe Kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale, Blerim Isufajt, për shkak të situatës që ajo e cilësoi alarmante në këtë deponi.
Sipas saj, deponia e Sferkës është përfshirë nga zjarri prej pesë ditësh, duke rrezikuar shëndetin e qytetarëve dhe mjedisin.
“Rreziku nuk ka filluar me zjarrin. Për më shumë se një dekadë, pas përfundimit të menaxhimit dhe mirëmbajtjes së deponisë nga kontingjenti italian i KFOR-it, mbeturinat e pesë komunave nuk janë trajtuar sipas standardeve sanitare të një deponie”, ka deklaruar Bajrami.
Ajo ka pretenduar se mbeturinat nuk janë groposur dhe mbuluar sipas praktikave të kërkuara, duke krijuar një grumbull të madh mbetjesh që ndër vite ka ndotur ajrin, tokën dhe ujërat.
Bajrami ka kërkuar nga Prokuroria që të hetojë përgjegjësinë e operatorit aktual të deponisë, Kompania për Menaxhimin e Deponive në Kosovë (KMDK), por edhe të institucioneve që kanë pasur kompetenca për menaxhimin dhe mbikëqyrjen e saj ndër vite.
Në kallëzimin penal, sipas saj, kërkohet të hetohet edhe përgjegjësia e institucioneve si Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Qeveria e Kosovës dhe institucione të tjera relevante.
“Kam kërkuar që Prokuroria të zhvillojë hetime të plota për të sqaruar përgjegjësinë për rrezikimin e shëndetit publik, shkaktimin e rrezikut të përgjithshëm, ndotjen dhe dëmtimin e mjedisit, si dhe për të hetuar nëse ka pasur mosveprim apo keqpërdorim të detyrës zyrtare nga personat përgjegjës”, ka shkruar ajo.
Deputetja ka kërkuar që rasti të trajtohet me prioritet dhe që institucionet përgjegjëse të ndërmarrin masa konkrete për sanimin e gjendjes dhe mbylljen përfundimtare të deponisë.
“E drejta për të jetuar në një mjedis të pastër dhe të shëndetshëm është e garantuar me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe mbrojtja e saj është detyrim ligjor i çdo institucioni”, ka deklaruar Bajrami.

