Presidentja e Kosovës, Albulena Shiroka Pula, ka uruar pjesëtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës me rastin e 27 Nëntorit – Ditës së Forcës, duke vlerësuar kontributin e tyre në mbrojtjen e lirisë, sovranitetit dhe integritetit territorial të vendit.
Në mesazhin e saj, presidentja theksoi se Ushtria e Kosovës përfaqëson aspiratën e brezave për një shtet të lirë, të pavarur dhe të sigurt, ndërsa kujtoi se ndërtimi i saj është mbështetur në sakrificën e popullit dhe luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Në cilësinë e Presidentes së Republikës dhe Komandantes Supreme, Shiroka Pula rikonfirmoi përkushtimin për forcimin e FSK-së, zhvillimin e kapaciteteve mbrojtëse dhe mbështetjen e pjesëtarëve të saj.
Ajo theksoi gjithashtu rëndësinë e bashkëpunimit me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe aleatët e tjerë strategjikë për ndërtimin e një force moderne, profesionale dhe të ndërveprueshme me ushtritë e vendeve të NATO-s.
Nderim për dëshmorët dhe familjen Jashari
Në mesazhin e saj, presidentja përkujtoi Komandantin Legjendar Adem Jashari, familjen Jashari dhe të gjithë dëshmorët e kombit, duke e cilësuar sakrificën e tyre si burim frymëzimi dhe përgjegjësie.
“Liria që trashëguam është amanet. Mbrojtja e saj është detyrë. Shërbimi ndaj atdheut është misioni ynë i përbashkët”, thuhet në mesazhin e presidentes.
Në fund, ajo uroi të gjithë pjesëtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe qytetarët me rastin e Ditës së Forcës.
“Urime 27 Nëntori – Dita e Forcës!”, përfundoi mesazhin presidentja Shiroka Pula.

