Euro pritet të bëhet monedha zyrtare e Shqipërisë pas anëtarësimit të vendit në Bashkimin Evropian. Kjo parashikohet në projektligjin e ri “Për Bankën e Shqipërisë”, i cili është hedhur për konsultim publik.
Për herë të parë, projektligji përfshin një kapitull të veçantë që rregullon kalimin nga leku në euro, si dhe përafrimin e Bankës së Shqipërisë me rregullat dhe funksionimin e Bankës Qendrore Evropiane (BQE).
Sipas nenit 91 të projektligjit, njësia monetare e Republikës së Shqipërisë do të jetë euro, ndërsa Banka e Shqipërisë do të jetë institucioni përgjegjës për emetimin dhe hedhjen në qarkullim të kartëmonedhave dhe monedhave euro, në përputhje me legjislacionin e Bashkimit Evropian.
Projektligji parashikon gjithashtu ndryshime në administrimin e rezervave valutore. Pas adoptimit të euros, Banka e Shqipërisë do t’i menaxhojë rezervat në përputhje me Traktatin për Funksionimin e Bashkimit Evropian, Statutin e Sistemit Evropian të Bankave Qendrore, aktet e Bankës Qendrore Evropiane dhe rregulloret e BE-së.
Aktualisht, euro është monedhë zyrtare në 21 nga 27 shtetet anëtare të Bashkimit Evropian, ndërsa Çekia, Hungaria, Polonia, Rumania, Suedia dhe Danimarka nuk e kanë adoptuar ende.
Projektligji sjell edhe ndryshime në strukturën financiare të Bankës së Shqipërisë. Kapitali i institucionit parashikohet të rritet nga 2.5 miliardë në 6 miliardë lekë, ndërsa Rezerva e Përgjithshme do të rritet nga 12.5 miliardë në 30 miliardë lekë pas hyrjes në fuqi të ligjit.

