Një grup deputetësh të opozitës në Serbi i ka dorëzuar kryeministrit Gjuro Macut një kërkesë zyrtare për shkarkimin e ministres së Administratës Shtetërore dhe Vetëqeverisjes Lokale, Snezhana Paunoviq, pas deklaratave të saj lidhur me shqiptarët gjatë viteve 1990.
Lajmin e bëri të ditur deputeti shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi, i cili njoftoi se iniciativa është ndërmarrë nga Grupi Parlamentar i Lëvizjes së Qytetarëve të Lirë – SDA e Sanxhakut dhe Partia për Veprim Demokratik, ndërsa është mbështetur me nënshkrimet e 53 deputetëve të opozitës.
Sipas Kamberit, në kërkesën drejtuar kryeministrit thuhet se ministrja duhet të shkarkohet për shkak të deklaratave me të cilat, sipas iniciuesve, janë arsyetuar spastrimi etnik i shqiptarëve gjatë viteve nëntëdhjetë.
Ai theksoi se kryeministri ka përgjegjësi politike dhe institucionale të reagojë, duke shtuar se, nëse refuzon të propozojë shkarkimin e ministres, do të mbajë përgjegjësi për vazhdimin e mandatit të saj dhe për, siç u shpreh ai, “normalizimin e një politike të tillë” brenda Qeverisë së Serbisë.
Kamberi kritikoi gjithashtu partitë e pakicave kombëtare që janë pjesë e qeverisë serbe, duke thënë se ato nuk e mbështetën iniciativën për shkarkimin e ministres. Sipas tij, nisma nuk u përkrah nga partitë boshnjake dhe as nga përfaqësuesit e komunitetit hungarez në koalicionin qeverisës.
Mbetet të shihet nëse kryeministri Gjuro Macut do ta procedojë kërkesën për shqyrtim në Kuvendin Popullor të Serbisë.


