Protesta e mbajtur sot në Prishtinë, pas vrasjes së Arlinda Zekajt më 25 tetor në Pejë, ka përfunduar me thirrje për drejtësi për viktimat e dhunës ndaj grave dhe përgjegjësi institucionale. Organizatorët kanë paralajmëruar se protesta do të vazhdojë edhe nesër, nga ora 16:00.
Dhjetëra qytetarë nga mbarë Kosova u mblodhën fillimisht në sheshin “Zahir Pajaziti”, prej nga marshuan drejt Ministrisë së Drejtësisë, Këshillit Prokurorial të Kosovës, Këshillit Gjyqësor, Policisë së Kosovës dhe Qeverisë.
Kërkesa për dorëheqje dhe llogaridhënie
Gjatë marshimit, protestuesit shprehën pakënaqësinë ndaj institucioneve dhe kërkuan drejtësi për Arlinda Zekajn dhe të gjitha viktimat e dhunës ndaj grave.
Para Ministrisë së Drejtësisë, ata kërkuan dorëheqjen e ministres Donika Gërvalla dhe ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.
Protestuesit mbanin pankarta me mesazhe si “Heshtja mbron dhunuesin, jo viktimën” dhe “Gjumi s’ka me iu marrë, flaka ka me iu dalë”. Gjatë protestës u dëgjuan edhe thirrjet “Shteti i ka duart me gjak”, “Rahat s’kena me iu lon” dhe “Jepni dorëheqje”.
Njëra nga organizatoret e protestës kritikoi mënyrën se si trajtohen rastet e dhunës ndaj grave, duke deklaruar: “Më shumë dënohesh nëse e vjedh një çokollatë në market se sa kur dhunon një grua”.
Mesazhe në objektin e Qeverisë
Gjatë protestës u hodhën mjete piroteknike para objekteve institucionale. Në dyert e objektit të Qeverisë u shkrua fjalia që, sipas organizatorëve, është marrë nga letra e Arlinda Zekajt: “Tani po kuptoj pse ka kaq shumë vrasje”.
Aty u vizatua edhe një sëpatë me ngjyrë të kuqe, në referencë të mënyrës së vrasjes së saj.
Protestuesit kërkuan që institucionet përgjegjëse të marrin masa konkrete për parandalimin e dhunës ndaj grave, mbrojtjen e viktimave dhe ndëshkimin e kryerësve të veprave të dhunshme.
Protesta vazhdon nesër
Organizatorët kanë bërë të ditur se protesta do të mbahet sërish nesër, në Prishtinë, duke filluar nga ora 16:00.
Thirrja e tyre mbetet e njëjtë: drejtësi për Arlinda Zekajn dhe viktimat e tjera, si dhe përgjegjësi institucionale për trajtimin dhe parandalimin e rasteve të dhunës ndaj grave.

