Qeveria e Republikës së Kosovës ka mbajtur mbledhjen e saj të 21-të në format elektronik, ku janë marrë disa vendime që lidhen me mbështetjen e mërgatës, arsimin dhe promovimin ndërkombëtar të Kosovës.
Në kuadër të vendimeve të miratuara, janë ndarë 2 milionë euro për zbatimin e Masës 4.5 “Mbështetja e Mërgatës”, pjesë e Pakos së Ringjalljes Ekonomike. Këto mjete do të përdoren për mbështetjen e linjave ajrore që shërbejnë destinacionet e mërgatës kosovare.
Po ashtu, Qeveria ka miratuar ndarje fondesh për disa organizata dhe iniciativa që përfaqësojnë Kosovën në aktivitete ndërkombëtare:
- Shoqata e Matematikanëve të Kosovës do të përfitojë 8 mijë euro për pjesëmarrjen në Olimpiadën e 67-të Ndërkombëtare të Matematikës, e cila do të mbahet më 21 korrik 2026 në Shangai të Kinës;
- Për Kosova Global Talent Center janë ndarë 70,876.79 euro, me qëllim të mbështetjes së pjesëmarrjes së 26 nxënësve në finalen e NEO Science Olympiad, që do të zhvillohet në muajin korrik në Nju Jork të SHBA-së;
- Shoqata e Kimistëve të Kosovës do të mbështetet me 3,500 euro për pjesëmarrjen në Olimpiadën Ndërkombëtare të Kimisë 2026, e cila mbahet nga 10 deri më 19 korrik në Tashkent të Uzbekistanit.
Gjithashtu, në këtë mbledhje është aprovuar edhe lista e anëtarëve potencialë të Komisionit të Pranimit për Ministrinë e Punëve të Brendshme.
Vendimet synojnë forcimin e lidhjeve me diasporën, mbështetjen e talenteve të reja dhe promovimin e Kosovës në arenën ndërkombëtare.

