Në ceremoninë e faljes së Kurban Bajramit në Xhaminë e Madhe në Prishtinë, Myftiu i Kosovës, Naim Tërnava, bëri thirrje për më shumë unitet, solidaritet dhe forcim të lidhjeve shoqërore e familjare, duke theksuar rëndësinë e paqes dhe bashkimit mes njerëzve.
Gjatë Hytbes së Bajramit, ai theksoi se besimtarët duhet të largojnë urrejtjen, përçarjen dhe egoizmin nga jeta e tyre, duke u fokusuar tek vlerat njerëzore dhe ndihma ndaj atyre që kanë nevojë.
“Sot në këtë ditë të bekuar, të pastrojmë zemrat tona nga urrejtja, përçarja dhe egoizmi. Le të forcojmë lidhjet familjare e shoqërore, të ndihmojmë nevojtarët dhe të bëhemi njerëz të paqes”, u shpreh ai.
Myftiu ndaloi vëmendjen edhe te rëndësia e ruajtjes së identitetit kombëtar dhe gjuhës shqipe, duke theksuar se një popull që humbet lidhjen me rrënjët e veta rrezikon të humbasë identitetin historik.
Në pjesën e fjalimit që lidhej me zhvillimet politike, Tërnava tha se situata e vazhdueshme politike dhe zgjedhjet e shpeshta kanë krijuar lodhje dhe zhgënjim tek qytetarët, duke bërë thirrje për reflektim nga klasa politike.
“Jostabiliteti politik ka lodhur popullin tonë dhe ka shqetësuar aleatët tanë”, deklaroi ai.

