Qeveria e Republikës së Kosovës ka miratuar vendimin lidhur me kërkesën e Kuvendit për nismën legjislative për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.
Në mbledhjen e mbajtur sot, Qeveria ka vendosur t’i përgjigjet kërkesës së Kuvendit të datës 23 shtator 2026, lidhur me Projektligjin Nr. 11/L-001 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit Nr. 05/L-053 për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.
Sipas njoftimit zyrtar të Qeverisë, vendimi përfshin dhënien e vlerësimit për projektligjin, përkatësisht opinionin ligjor për përputhshmërinë me acquis të Bashkimit Evropian, vlerësimin e ndikimit buxhetor dhe opinionin ligjor lidhur me përmbajtjen e projektligjit.
“Miratuar vendimin me të cilin i përgjigjet kërkesës së Kuvendit të Republikës së Kosovës me nr. Prot. 1108 të datës 23.09.2026, për Nismën legjislative për ‘Projektligjin Nr. 11/L-001 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit Nr. 05/L-053 për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar’”, thuhet në njoftimin e Qeverisë.
Çështja e ndryshimit të këtij ligji ishte ngritur edhe në Komisionin për Legjislacion të Kuvendit, ku më 30 shtator deputetët kërkuan që projektligji të procedohej nga Qeveria dhe të shqyrtohej me prioritet. Kryetari i Komisionit, Vigan Qorrolli, kishte bërë të ditur se projektligji i ishte përcjellë Ministrisë së Drejtësisë për dhënien e mendimit ligjor dhe se pas kthimit në Kuvend do të shqyrtohej me urgjencë.
Tani, pas vendimit të Qeverisë, procedura për shqyrtimin e projektligjit pritet të vazhdojë në Kuvend, në përputhje me hapat e përcaktuar për procedimin dhe shqyrtimin e nismave legjislative.

