Qeveria e Kosovës ka nisur procedurën për shpronësimin e pronave private dhe publike në zonat kadastrale Smallushë dhe Sllovi të Komunës së Lipjanit, të cilat preken nga projekti i ndërtimit të autostradës Prishtinë-Gjilan-Dheu i Bardhë, në segmentin Banullë-Bresalc.
Vendimi me numër 11/08 është marrë më 28 tetor nga Qeveria e udhëhequr nga Albin Kurti, ndërsa është publikuar në Gazetën Zyrtare më 4 nëntor, raporton IndeksOnline.
Përmes këtij vendimi është miratuar shqyrtimi i mëtejmë i kërkesës për shpronësim për interes publik të pronave të paluajtshme që preken nga realizimi i këtij projekti infrastrukturor.
Sipas dokumentit, procedura përfshin pronat e pronarëve privatë, zotëruesve të interesit, si dhe pronat publike në dy zonat kadastrale.
Kompensimi do të sigurohet nga buxheti i vitit 2027
Në vendim përcaktohet se vlera e kompensimit për pronat që do të shpronësohen do të caktohet nga Departamenti për Vlerësimin e Pronave në kuadër të Ministrisë së Financave, në përputhje me legjislacionin në fuqi për shpronësimin e pronës së paluajtshme.
Ndërkaq, mjetet për pagesën e kompensimit do të sigurohen nga Ministria e Infrastrukturës, përmes ndarjes buxhetore për vitin 2027.
Në dokument nuk është specifikuar shuma e përgjithshme që pritet të shpenzohet për këtë proces.
Dëgjimi publik mbahet më 26 nëntor në Lipjan
Një nga hapat e paraparë në procedurën e shpronësimit është edhe organizimi i dëgjimit publik, ku pronarët e pronave të prekura dhe personat e tjerë të interesuar do të kenë mundësi të paraqesin qëndrimet dhe vërejtjet e tyre.
Dëgjimi publik është caktuar të mbahet më 26 nëntor, në orën 10:30, në Sallën e Kuvendit Komunal të Lipjanit.
Po ashtu, personat e interesuar kanë të drejtë të paraqesin komente me shkrim pranë Departamentit të Shpronësimit, brenda 10 ditëve kalendarike nga publikimi i vendimit në Gazetën Zyrtare.
Dokumenti parasheh që personat që dëshirojnë të marrin pjesë në dëgjimin publik duhet të kenë me vete dokumentet që dëshmojnë interesin e tyre pronësor ose përfaqësimin ligjor.
Procedura e shpronësimit është pjesë e hapave institucionalë për realizimin e projektit të autostradës Prishtinë-Gjilan-Dheu i Bardhë, në segmentin Banullë-Bresalc.

