Qindra studentë të Universitetit të Prishtinës dhe universiteteve të tjera kanë marshuar sot në Prishtinë kundër vendimit të Dhomave të Specializuara në Hagë ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.
Marshi, i organizuar nga Parlamenti Studentor, ka nisur nga Qendra e Studentëve dhe ka vazhduar drejt sheshit “Skënderbeu”. Gjatë marshimit, studentët kanë mbajtur pankarta me mesazhe si “Jo në emrin e studentëve”, “Duam drejtësi” dhe “Liria ka emër”.
Humolli: Rinia e Kosovës nuk pranon atë që e konsideron padrejtësi
Gjatë marshit, studenti Donart Humolli tha se rinia e Kosovës nuk e pranon atë që ai e konsideron si gjykim të padrejtë ndaj ish-krerëve të UÇK-së.
Ai tha se nuk ka gjykatë apo vendim që, sipas tij, do ta ndryshojë mënyrën se si rinia e Kosovës i sheh ata që i konsideron çlirimtarë.
“E kuptojmë se jemi fatlumë që bëjmë pjesë ndër brezat e parë të këtij kombi që e shijoi lirinë, pa e përjetuar tmerrin e luftës. Por po ashtu, e kuptojmë qartë se kjo liri nuk do të ishte e mundur pa sakrificën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, tha Humolli.
Ai theksoi edhe rolin e aleatëve ndërkombëtarë në çlirimin e Kosovës, duke përmendur në veçanti Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“Por nuk do të ishte e mundur as pa mbështetjen e aleatëve tanë ndërkombëtarë, me theks të veçantë Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Sot, studentët dhe rinia e Kosovës qëndrojnë të bashkuar me besimin e patundur tek Perëndimi”, u shpreh ai.
Humolli tha se, sipas tij, rinia e Kosovës beson se aleatët ndërkombëtarë do të vazhdojnë të jenë mbështetës të Kosovës edhe në këtë proces.
Thirrje për mbështetje dhe unitet
Parlamenti Studentor kishte paralajmëruar se marshi do të ishte një thirrje për unitet, dinjitet dhe solidaritet. Studentët kishin përgatitur edhe një memorandum me gjashtë pika lidhur me zhvillimet në Hagë.
Humolli kishte kërkuar mbështetje financiare, politike dhe morale për të akuzuarit deri në përfundimin e procesit gjyqësor, si dhe u kishte bërë thirrje partive politike që të bashkëpunojnë dhe të vendosin unitetin mbi interesat ditore politike.
Ai kishte kërkuar gjithashtu monitorim të procesit nga organizatat ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, duke argumentuar se procesi duhet të ketë transparencë maksimale.
Përparim Rama: Protestat demokratike janë të mirëseardhura
Në marsh ishte i pranishëm edhe kryetari i Prishtinës, Përparim Rama.
Rama i cilësoi protestat si pjesë të shprehjes demokratike dhe tha se sheshet e kryeqytetit duhet të jenë të hapura për protesta që zhvillohen në mënyrë paqësore.
“Nuk mundet një vlerë kombëtare me u kriminalizu nga asnjë proces. Për këtë arsye sheshet e kryeqytetit janë të hapura dhe në përkrahje të çfarëdo proteste që i mbron këto vlera kombëtare”, ka thënë Rama.
Ai bëri thirrje që çështja të trajtohet përtej ndarjeve partiake.
“U bëj thirrje institucioneve dhe partive që kjo të jetë përtej partiake. Kjo pozitë ku jemi duhet të shfrytëzohet për unitet kombëtar”, u shpreh kryetari i Prishtinës.
Rama tha se, sipas tij, duhet të ketë bashkim rreth çështjeve që lidhen me shtetësinë dhe të ardhmen e Kosovës.
Marshi përfundoi në sheshin “Skënderbeu”, ku studentët mbajtën fjalime dhe përcollën mesazhet e tyre lidhur me procesin gjyqësor në Hagë.

