Magazina QendraQendra
  • Kreu
  • Lajme
  • Sport
  • Lifestyle
  • Shendeti
  • Fejton
  • Kulture
  • Ekonomia
  • Opinione
Home Lajme

Rama me diasporën në Michigan: “Shqipëria nuk është më vend mbijetese, por vend shprese”

Qendra Info by Qendra Info
21/09/2026
in Lajme
0
Rama me diasporën në Michigan: “Shqipëria nuk është më vend mbijetese, por vend shprese”
0
SHARES
3
VIEWS
Share on FacebookShare on Twitter

Kryeministri Edi Rama e nisi vizitën në Shtetet e Bashkuara me një takim me komunitetin shqiptar në Michigan, ku foli për diasporën, integrimin në BE, marrëdhëniet me Kosovën dhe hapjen e një konsullate shqiptare në këtë shtet. Rama ndodhet në SHBA në kuadër të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.

Gjatë fjalës së tij, Rama u ndal te ndryshimet që, sipas tij, kanë ndodhur në Shqipëri gjatë viteve të fundit, duke sjellë si shembull edhe një episod simbolik nga Michigan-i, ku disa vite më parë ishte regjistruar për herë të parë një flamingo si vizitor.

Duke iu referuar debatit që flamingot kanë nxitur në Shqipëri lidhur me mjedisin, ekonominë dhe zhvillimin, Rama tha se ky është edhe një tregues i ndryshimit të shoqërisë shqiptare.

“Shqiptarët sot jetojnë me idenë se tani ka dhe më mirë”, tha Rama, duke e lidhur këtë me atë që ai e cilësoi si “Shqipëria e re”.

Rama: Nuk jemi më vend mbijetese

Një pjesë të fjalimit ia kushtoi diasporës shqiptare dhe marrëdhënies së saj me Shqipërinë.

Rama tha se diaspora shqiptare ka qenë për dekada një burim i rëndësishëm mbështetjeje për familjet në Shqipëri, por sipas tij, marrëdhënia me emigracionin po ndryshon paralelisht me zhvillimin ekonomik të vendit.

“Tani ju në Shqipëri nuk dërgoni më para për bukë apo për ilaçe, për mbijetesë. 90 për qind e familjeve kanë përfituar këto 35 vjet së paku një herë nga diaspora shqiptare. Tani ne nuk jemi një vend mbijetese, por një vend shprese”, u shpreh Rama.

Ai theksoi se diaspora, sipas tij, nuk duhet të shihet vetëm si burim remitancash.

“Diaspora nuk është një llogari bankare e atdheut, por është një rrjet i madh njerëzish që mbajnë sytë nga atdheu”, tha kryeministri.

“Diaspora në qendër të Shqipërisë 2030”

Rama përmendi edhe votën e diasporës në zgjedhjet e fundit dhe tha se qeveria po ndërton një strategji më të gjerë për lidhjen e shqiptarëve jashtë vendit me Shqipërinë.

“Tani kemi një strategji më të gjerë të Shqipërisë 2030, e cila e ka në qendër të vëmendjes diasporën. Ne po krijojmë Regjistrin Kombëtar të Diasporës, që do të jetë një dritare unike për t’u lidhur me Shqipërinë”, deklaroi ai.

Sipas Ramës, shqiptarët jashtë vendit e shohin ndryshimin në Shqipëri nga një distancë tjetër.

“Ajo e shikon ndryshimin më mirë, më qartë, pasi ajo nuk jeton me kantierin, por me rezultatin”, tha Rama.

Konsullatë shqiptare në Michigan

Gjatë takimit, Rama njoftoi edhe hapjen e një konsullate shqiptare që do t’u shërbejë shqiptarëve në Michigan dhe në zonat përreth.

“Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme së shpejti do të hapë konsullatën shqiptare dhe besoj që është vendimi i duhur dhe i merituar”, u shpreh ai.

Rama tha se shqiptarët në SHBA janë edhe përfaqësues të rëndësishëm të vendit.

“Ambasadorët më të mirë të Shqipërisë këtu janë shqiptarët që i ngrenë emrin Shqipërisë”, tha kryeministri.

Ai përmendi edhe një vizitë në një biznes shqiptar në SHBA, duke treguar se kishte fotografuar me rreth 40 gra amerikane me origjinë shqiptare.

Protestë në Michigan

Në afërsi të hotelit ku zhvillohej takimi, një grup prej rreth 20 personash zhvilloi një protestë në distancë.

Protestuesit mbanin pankarta dhe hodhën thirrje kundër Edi Ramës dhe Sali Berishës. Mes thirrjeve ishin “Rama në burg” dhe “Berisha në burg”.

Protesta u zhvillua pa incidente.

Rama flet për Thaçin, Veselin, Krasniqin dhe Selimin

Në fjalën e tij, kryeministri shqiptar u ndal edhe te vendimi të cilit iu referua si vendim i Gjykatës Speciale në Hagë ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.

Rama tha se Shqipëria mund të vazhdojë t’i qëndrojë në krah Kosovës, ndërsa mënyrën e reagimit ndaj vendimit, sipas tij, duhet ta përcaktojnë institucionet e Kosovës.

“Shqipëria s’mund të bëjë asgjë më shumë sesa t’i rrijë në krah Kosovës, por ata duhet të vendosin të bëjmë gjithçka për ta zhbërë atë vendim kundër atyre katër burrave”, tha Rama.

Aeroporti i Tiranës dhe zhvillimi i transportit ajror

Rama foli edhe për zhvillimin e transportit ajror, duke deklaruar se aeroporti i Tiranës ka shënuar rritje të ndjeshme dhe, sipas tij, ka kaluar Beogradin për numrin e pasagjerëve.

“Ne jemi vendi me aeroportin me rritjen më të madhe në rajon dhe njërin me më të lartët të pasagjerëve, duke lënë pas Beogradin që për një shekull ka qenë aeroporti më i madh i Ballkanit”, tha ai.

“Në 2030 të mbarojë kapitulli i hyrjes në BE”

Një tjetër temë e fjalimit ishte integrimi europian i Shqipërisë.

Rama tha se vendi ka hapur kapitujt e negociatave dhe po hyn në fazën e mbylljes së tyre.

“Shqipëria është në fazën që ka hapur gjithë kapitujt dhe po hyn në fazën e mbylljes së tyre, që më 2030 të mbarojë kapitulli i hyrjes në BE”, deklaroi kryeministri.

Ai përmendi gjithashtu organizimin e samitit të ardhshëm të NATO-s në Shqipëri, duke e lidhur këtë me rolin ndërkombëtar të vendit.

“Shqipëria tani është një adresë ku bota troket për të diskutuar të ardhmen e saj”, tha Rama.

Dedikim nga fëmijët e shkollës shqipe

Takimi në Michigan u mbyll edhe me një moment simbolik.

Fëmijët e shkollës shqipe në Michigan i dhuruan kryeministrit një punim të përgatitur posaçërisht për të, me dedikimin:

“Kryeministrit të Republikës së Shqipërisë, z. Edi Rama”

Dedikimi ishte i rrethuar nga emrat dhe firmat e fëmijëve, ndërsa disa prej tyre kishin veshur edhe kostume tradicionale shqiptare.

Rama e nisi vizitën në SHBA me takimin në Michigan dhe pritet të marrë pjesë në aktivitetet e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në Nju Jork, ku sipas njoftimit të mëhershëm do të mbajë fjalim më 25 shtator.

Related

Previous Post

SHBA përgatit sanksione ndaj të gjithë Gjykatës Ndërkombëtare Penale

Please login to join discussion
  • Kreu
  • Lajme
  • Sport
  • Lifestyle
  • Shendeti
  • Fejton
  • Kulturë
  • Ekonomia
  • Opinione

© 2026 JNews - Premium WordPress news & magazine theme by Jegtheme.

×
No Result
View All Result

Recent Searches

Lajme
Shendet
Sport
Kulture
Ekonomi
No Result
View All Result
  • Kreu
  • Lajme
  • Sport
  • Lifestyle
  • Shendeti
  • Fejton
  • Kulturë
  • Ekonomia
  • Opinione

© 2026 JNews - Premium WordPress news & magazine theme by Jegtheme.