Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka reaguar sërish lidhur me valën e vlerësimeve negative që goditi dhjetëra biznese turistike në platformën Google, duke e cilësuar atë si një sulm të organizuar ndaj ekonomisë së turizmit shqiptar në kulmin e sezonit veror.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Rama ndau një artikull të publikuar nga The Tirana Examiner, ku argumentohet se një fushatë e koordinuar me motive politike u shndërrua në një agresion ekonomik ndaj sipërmarrjeve që operojnë në sektorin e turizmit dhe mikpritjes.
“Ekonomia jonë e turizmit u godit pabesisht nga terrori digjital mbi sipërmarrjet mikpritëse në kulmin e sezonit. Artikulli i The Tirana Examiner shpjegon se si një organizim i motivuar politikisht u kthye në agresion ekonomik kundër vendit dhe familjeve që jetojnë nga turizmi”, ka shkruar Rama.
Sipas kryeministrit, institucionet shtetërore, në bashkëpunim me Google, kanë ndërmarrë veprime për të rikthyer vlerësimet reale të bizneseve të prekura, ndërsa Policia e Shtetit po vazhdon hetimet për identifikimin e autorëve të fushatës së koordinuar.
Artikulli i publikuar nga The Tirana Examiner thekson se, gjatë javës së dytë të korrikut, dhjetëra hotele, restorante dhe biznese të tjera të sektorit të mikpritjes u përballën me mijëra vlerësime negative në Google, të cilat dyshohet se ishin publikuar nga llogari të krijuara posaçërisht për këtë qëllim.
Sipas të dhënave të cituara në artikull, Policia e Shtetit po verifikon mbi 10 mijë llogari, ndërsa disa biznese pësuan rënie të ndjeshme të vlerësimeve të tyre online brenda pak ditësh.
Në analizën e publikuar argumentohet se objektivi kryesor i fushatës ishte dëmtimi i reputacionit të bizneseve shqiptare në kulmin e sezonit turistik, periudhë kur sektori realizon pjesën më të madhe të të ardhurave vjetore.
Artikulli thekson gjithashtu se Google ka identifikuar aktivitetin e dyshimtë dhe ka nisur procesin e largimit të komenteve të rreme, duke rikthyer gradualisht vlerësimet autentike të bizneseve të prekura.
Ndërkohë, autoritetet shqiptare kanë bërë të ditur se hetimet janë ende në zhvillim dhe se do të ndërmerren veprime ligjore ndaj çdo personi që rezulton të ketë qenë pjesë e manipulimit të organizuar të platformave digjitale.

