Trafiku detar përmes Ngushticës së Hormuzit po rikthehet gradualisht, pavarësisht tensioneve të vazhdueshme mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Iranit.
Sipas të dhënave të publikuara nga Shoqata e Trafikut Detar dhe platformave të monitorimit të anijeve Kpler dhe LSEG, një numër në rritje i cisternave të gazit natyror të lëngshëm (LNG) kanë rifilluar lundrimin në këtë korridor strategjik detar gjatë ditëve të fundit.
Të dhënat tregojnë se të paktën pesë cisterna LNG, që lundrojnë pa ngarkesë (në balast), kanë hyrë në Ngushticën e Hormuzit, duke sinjalizuar një normalizim gradual të qarkullimit detar në zonë.
Mes anijeve që kanë kaluar ngushticën janë GasLog Shanghai, e operuar nga kompania greke GasLog, si dhe cisternat Al Samriya, Al Dafna, Al Gattara dhe Al Rayyan, të lidhura me kompaninë shtetërore të Katarit, QatarEnergy.
Nga ana tjetër, autoritetet japoneze kanë bërë të ditur se 22 anije të lidhura me Japoninë janë larguar nga Ngushtica e Hormuzit, përfshirë gjashtë supercisterna nafte, të cilat kaluan me sukses mes datave 7 dhe 9 korrik.
Ministri japonez i Transportit, Yasushi Kaneko, deklaroi gjatë një konference për media se autoritetet po monitorojnë nga afër situatën e sigurisë në rajon, duke pasur parasysh rëndësinë strategjike të kësaj rruge detare për furnizimin global me energji.
Ngushtica e Hormuzit mbetet një nga korridoret më të rëndësishme të transportit energjetik në botë, pasi përmes saj kalon një pjesë e konsiderueshme e eksporteve globale të naftës dhe gazit natyror të lëngshëm.

