Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka deklaruar se Shqipëria ka shënuar një tjetër hap të rëndësishëm në procesin e integrimit evropian, duke njoftuar se më 26 maj do të mbahet Konferenca Ndërqeveritare mes Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian.
Sipas Ramës, kjo konferencë do të shënojë përmbylljen me sukses të fazës hyrëse dhe kalimin në fazën përfundimtare të negociatave për anëtarësimin e vendit në Bashkimin Evropian.
Në deklarimet e tij, kreu i qeverisë shqiptare tha se procesi lidhet me vlerësimin e detyrave të realizuara nga Shqipëria pas hapjes së kapitujve negociues, duke theksuar se ballafaqimi me institucionet evropiane ka përfunduar pozitivisht.
Një pjesë e madhe e deklaratës së Ramës u fokusua edhe te kritikat ndaj opozitës, të cilën e akuzoi për zhvillim të një fushate negative ndaj Shqipërisë në arenën ndërkombëtare.
Ai përdori tone ironike dhe gjuhë të ashpër, duke i cilësuar kundërshtarët politikë si “molotovarët e Tiranës”, ndërsa i akuzoi se kanë tentuar të dëmtojnë imazhin e vendit përmes protestave dhe mesazheve, sipas tij, denigruese ndaj institucioneve evropiane.
Rama pretendoi se opozita kishte parashikuar izolimin e Shqipërisë dhe bllokimin e rrugës drejt integrimit evropian, por shtoi se zhvillimet e fundit, sipas tij, tregojnë të kundërtën.
“Kemi ngjitur një tjetër lartësi të vështirë drejt majës, ku do të arrijmë brenda kësaj dekade”, deklaroi ai, duke shtuar se synimi mbetet anëtarësimi i Shqipërisë në Bashkimin Evropian.
Deklaratat e Ramës u bënë në kuadër të podkastit të tij “Flasim”, në një kohë kur procesi i integrimit evropian vazhdon të mbetet një nga temat kryesore të debatit politik në Shqipëri.

