Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka komentuar nga New Yorku aktgjykimin ndaj Hashim Thaçit dhe tre ish-drejtuesve të tjerë të UÇK-së, duke thënë se Shtetet e Bashkuara mund të kishin bërë më shumë për ish-presidentin e Kosovës.
Në një takim të Këshillit për Marrëdhëniet Shqiptaro-Amerikane, Rama e përmendi ish-presidentin amerikan Joe Biden dhe rolin e SHBA-së në periudhën kur u krijuan Dhomat e Specializuara të Kosovës.
“Hashim Thaçi nuk është me ne sot sepse ky vend e tradhtoi. Sepse Joe Bideni, që emërtoi George Washingtonin e Kosovës, e tradhtoi. Edhe pse gjenerali Clark dhe disa miq të shkëlqyer amerikanë bënë më të mirën, ky vend nuk bëri më të mirën për Hashim Thaçin”, deklaroi Rama.
Ai shtoi se, sipas tij, SHBA-ja mund të kishte ndërmarrë hapa të tjerë për të parandaluar nisjen e procesit ndaj ish-krerëve të UÇK-së.
“Ndaj ndihem i tradhtuar sepse jam i sigurt që ky vend mund të kishte bërë më shumë. E së pari, e mbi të gjitha, duke mos lejuar që kjo farsë të niste”, tha kryeministri shqiptar.
Më 16 shtator 2026, Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë i shpallën fajtorë Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Rexhep Selimin dhe Jakup Krasniqin për disa krime lufte. Thaçi dhe Krasniqi u dënuan me nga 25 vjet burgim, Veseli me 18 vjet dhe Selimi me 13 vjet. Gjykata i shpalli të pafajshëm për akuzat për krime kundër njerëzimit.
Rama foli gjithashtu për investimet amerikane në Shqipëri, duke deklaruar se projekti i zhvillimit turistik në Zvërnec, i lidhur me kompaninë Affinity Partners të Jared Kushner, nuk do të jetë i vetmi investim i madh amerikan.
“Po përgatitemi që të hedhim në vend miliarda jo vetëm me projektin e famshëm, por edhe të jashtëzakonshëm Kushner, por edhe me projekte të tjera të mëdha që kemi në proces e sipër”, u shpreh Rama.
Ai kundërshtoi gjithashtu sloganin “Shqipëria u përket shqiptarëve”, duke argumentuar se vendi duhet të jetë i hapur për vizitorë dhe investitorë të huaj.
“Shqipëria i përket Zotit dhe mikut dhe sigurisht është shtëpia e shqiptarit, por në shtëpinë e shqiptarit duhet të ketë vend për gjithkënd që bujt e vjen, qoftë për strehë e qoftë për të ofruar ndihmë”, deklaroi ai.
Në fjalën e tij, Rama u ndal edhe te zhvillimet në Shqipëri dhe drejtësia e re, në një kohë kur ish-drejtoresha e SHISH-it, Vlora Hyseni, ndodhet nën masën “arrest në shtëpi” në kuadër të një hetimi të SPAK-ut. GJKKO ka vendosur më 24 shtator vazhdimin e kësaj mase, ndërsa hetimet vijojnë.
“Nuk është më ky vendi ku mund të ecësh dorë për dore me korrupsionin pa pasur asnjë pasojë. Dhe ky është një sukses i madh”, tha Rama.

