Kryeministri Edi Rama ka renditur tri probleme që, sipas tij, vijojnë të dëmtojnë marrëdhënien mes qytetarit dhe shtetit, duke i cilësuar ato si “plagë” që kërkojnë ndërhyrje dhe zgjidhje.
Në mbledhjen e zgjeruar të grupit parlamentar të Partisë Socialiste, ku marrin pjesë edhe ministrat, Rama u ndal te nismat “Besa”, “Prania Besnike”, “Pasqyrë Albania” dhe “Shkalla e Meritës”, të cilat, sipas tij, synojnë të përmirësojnë komunikimin e institucioneve me qytetarët dhe mënyrën e trajtimit të problemeve të tyre.
Rama: Kemi qenë kudo në hartën e Shqipërisë, por kemi munguar te halli i njeriut
Duke folur për sfidat e administratës dhe marrëdhënien qytetar-shtet, Rama tha se qeverisja duhet të jetë më e orientuar drejt problemeve konkrete të qytetarëve.
Ai theksoi se institucionet duhet të kenë përgjegjësi më të qartë për mënyrën se si trajtohen kërkesat dhe shqetësimet e qytetarëve.
Sipas kryeministrit, një qeveri që nuk arrin të përmirësohet dhe të korrigjojë problemet e saj duhet t’i hapë rrugë ndryshimit.
Tri “plagët” e shtetit sipas Ramës
Rama i ndau problemet në tri kategori kryesore.
E para është “shteti labirint”, ku qytetari nuk e di se cilit institucion apo kujt duhet t’i drejtohet për të marrë një përgjigje.
E dyta është mungesa e memories institucionale. Sipas Ramës, institucionet shpesh nuk mbajnë një regjistër të qartë të asaj që është premtuar, vendosur, realizuar, vonuar apo ndryshuar gjatë rrugës.
E treta lidhet me perceptimin se njohjet vlejnë më shumë se merita dhe se fati mund të jetë më i fortë se ligji.
“Sot duhet të ndeshemi me 3 plagë që ushqejnë njëra-tjetrën. Njëra plagë është plaga e shtetit labirintit, qytetari nuk di kur dhe kush duhet t’i përgjigjet. Plaga 2 është mungesa e memories institucionale. Premtohet, flitet, vendoset, por nuk mbahet regjistër llogarish për atë që u bë, për atë që nuk u bë, për atë që u vonua apo për atë që ndryshoi rrugës”, deklaroi Rama.
Kryeministri shtoi se memoria institucionale nuk duhet të kufizohet vetëm te protokollet administrative.
“Memoria institucionale nuk është protokolli i institucionit. Është shumë më tepër. Mungesa i kushton shtetit dhe qytetarit shumë herë më tepër se sa mund të imagjinohet.”
Për problemin e tretë, Rama tha se ekziston një ndjenjë e përhapur te qytetarët se për një shërbim apo një vend pune, “njohja vlen më shumë se merita dhe fati vlen më shumë se ligji”.
“Pasqyrë Albania” dhe “Prania Besnike”, pjesë e paketës së re
Rama i lidhur këto probleme me një sërë nismash të prezantuara më herët, mes tyre “Pasqyrë Albania”, “Prania Besnike”, “Besa” dhe “Shkalla e Meritës”.
Sipas tij, këto iniciativa janë pjesë e një përpjekjeje më të gjerë për të ndryshuar marrëdhënien ndërmjet qytetarit dhe administratës shtetërore.
“Pasqyrë Albania” synon të shërbejë si një mekanizëm për evidentimin e problemeve dhe shqetësimeve të qytetarëve, ndërsa “Prania Besnike” lidhet me rolin e deputetëve në ndjekjen e çështjeve që u adresohen nga qytetarët.
Rama ka kërkuar gjithashtu që edhe institucionet e tjera të shtetit të jenë pjesë e kësaj qasjeje.
Rama mund të njoftojë edhe ndryshime në qeveri
Mbledhja e zgjeruar e socialistëve vjen në një moment kur në fokus janë edhe zhvillimet brenda kabinetit qeveritar.
Sipas raportimeve, Rama mund të njoftojë ndryshime në përbërjen e qeverisë gjatë takimit me grupin parlamentar dhe ministrat.
Një ditë më parë u zhvillua mbledhja e parë e qeverisë për sezonin e ri politik, ku u bë e ditur edhe dorëheqja e ministres së Shëndetësisë, Evis Sala, pas rreth një viti në këtë detyrë.
Në këtë kuadër, mbledhja e sotme pritet të shërbejë jo vetëm për përcaktimin e prioriteteve të reja të qeverisjes, por edhe për prezantimin e hapave konkretë që mazhoranca synon të ndërmarrë në raport me administratën dhe qytetarët.

