Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, gjatë një vizite në Vushtrri ka vlerësuar rolin e familjes dhe ruajtjen e traditave shqiptare, duke theksuar se ato vazhdojnë të jenë shtyllat kryesore të shoqërisë në Kosovë.
Përmes një postimi publik, Haradinaj tha se gjatë qëndrimit në familjen Haradinaj ka përjetuar mikpritjen dhe ngrohtësinë që, sipas tij, karakterizon familjet shqiptare.
“Në Vushtrri, në familjen Haradinaj, gjeta ngrohtësinë e një dere të hapur shqiptare, të ndërtuar mbi respektin, mikpritjen dhe dashurinë për traditën tonë kombëtare”, ka deklaruar ai.
Haradinaj shtoi se takimet me qytetarët po i rikujtojnë rëndësinë e familjes dhe punës së ndershme në ndërtimin e një shoqërie të fortë.
“Bisedat me njerëzit tanë më rikujtojnë çdo ditë se forca e Kosovës buron nga familja, puna e ndershme dhe ruajtja e vlerave që na kanë mbajtur të bashkuar në kohët më të vështira”, u shpreh ai.
Në fund, ai falënderoi për pritjen dhe vlerësoi familjet shqiptare si bazë të qëndresës dhe identitetit kombëtar.
“Mirënjohës për pritjen e përzemërt dhe krenar për familjet tona, që vazhdojnë të mbeten themeli i qëndresës, unitetit dhe identitetit shqiptar”, ka përfunduar Haradinaj.

