Italia, Franca, Gjermania, Mbretëria e Bashkuar dhe disa shtete të tjera evropiane kanë lëshuar një deklaratë të përbashkët ku i kërkojnë Izraelit të ndalë zgjerimin e vendbanimeve në Bregun Perëndimor, duke paralajmëruar se situata në këtë territor është përkeqësuar ndjeshëm.
Në dokumentin e përbashkët, shtetet evropiane kanë dënuar veprimet e kolonëve izraelitë dhe kanë shprehur shqetësim për rritjen e tensioneve dhe dhunës në rajon.
“Dhuna e kolonëve ka arritur nivele të papara. Në Bregun Perëndimor, praktikat e qeverisë izraelite janë të paligjshme dhe po minojnë perspektivën e një zgjidhjeje me dy shtete”, thuhet në deklaratë.
Shtetet nënshkruese kanë theksuar se sipas së drejtës ndërkombëtare, vendbanimet izraelite në Bregun Perëndimor konsiderohen të paligjshme, duke përmendur veçanërisht projektin e zhvillimit të zonës E1, për të cilin vlerësohet se mund të ndajë Bregun Perëndimor në dy pjesë.
Sipas dokumentit, vendet evropiane u kanë bërë thirrje kompanive private që të mos përfshihen në projekte ndërtimore në këto zona, duke paralajmëruar për pasoja ligjore dhe dëmtim të reputacionit.
Në deklaratë i kërkohet gjithashtu qeverisë izraelite që:
- Të ndalë zgjerimin e vendbanimeve dhe kompetencave administrative;
- Të garantojë llogaridhënie për dhunën e kolonëve;
- Të hetojë pretendimet për abuzime nga forcat izraelite;
- Të respektojë statusin historik të vendeve të shenjta në Jerusalem;
- Të lehtësojë kufizimet financiare ndaj Autoritetit Palestinez.
Po ashtu, shtetet evropiane kanë kundërshtuar qëndrimet që mbështesin aneksimin dhe zhvendosjen me forcë të popullsisë palestineze.
Në fund të deklaratës, nënshkruesit riafirmuan mbështetjen për një zgjidhje me dy shtete, duke theksuar se paqja e qëndrueshme mund të arrihet vetëm përmes negociatave dhe respektimit të rezolutave ndërkombëtare.
