Drejtori i Shërbimeve Publike në Kryeqytet, Leutrim Retkoceri, ka kërkuar hapjen e deponisë së Mirashit në mesnatë, në mënyrë që të mundësohet largimi i mbeturinave nga Prishtina.
Në një konferencë për media, Retkoceri bëri të ditur se Kryeqyteti ka dërguar kërkesë zyrtare për sqarimin e kufizimit të orarit të punës së deponisë, por deri më tani nuk ka marrë përgjigje zyrtare.
“Sonte, në ora 12:00 kërkoj të hapen dyert në deponinë në Mirash, për t’u larguar mbeturinat nga Kryeqyteti. Në të kundërtën, veprimet tona nuk do të jenë më të njëjta”, deklaroi Retkoceri.
Kërkon përgjegjësi nga KMDK-ja dhe ministria
Retkoceri kërkoi përgjegjësi publike nga kryeshefi i Kompanisë për Menaxhimin e Deponive në Kosovë (KMDK), ndërsa i bëri thirrje Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës që të sqarojë nëse e mbështet kufizimin e orarit të deponisë dhe të ndërmarrë veprime të menjëhershme.
Ai tha se Kryeqyteti ka ndërmarrë hapa për përmirësimin e shërbimeve të menaxhimit të mbeturinave, përfshirë themelimin e një ndërmarrjeje të re publike, ndryshimet në rregullore dhe marrëveshjet e miratuara në Kuvendin e Kryeqytetit.
Drejtoria e Shërbimeve Publike ka bërë të ditur se do të ndërmarrë masat e nevojshme për të garantuar vazhdimësinë e shërbimeve për qytetarët.
Deri në publikimin e këtij njoftimi, sipas deklaratës së Retkocerit, Kryeqyteti nuk kishte pranuar vendim zyrtar për kufizimin e orarit të deponisë së Mirashit.

