Koalicioni VLEN ka bërë të ditur emrat e ministrave të propozuar në kuadër të rikonstruimit të Qeverisë në Maqedonine Veriore, duke zyrtarizuar ndryshimet në ndarjen e resorëve dhe përfaqësimin e partnerëve qeveritarë.
Sipas marrëveshjes së re, VLEN do të drejtojë tri ministri kyçe: Ministrinë e Drejtësisë, Ministrinë për Marrëdhënie Ndërmjet Bashkësive dhe Ministrinë e Kulturës dhe Turizmit. Për këto poste janë propozuar Jeton Shasivari, Agon Ferati dhe Sedat Sulejmani.
Në të njëjtën kohë, koalicioni konfirmoi se disa figura do të vazhdojnë në detyrat e tyre aktuale: Bekim Sali si zëvendëskryeministër i parë dhe ministër për Çështje Evropiane, Besar Durmishi si ministër i Ekonomisë dhe Punës, si dhe Muhamet Hoxha si ministër i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor.
Rikonstruimi i kabinetit vjen pas mbledhjes së Komitetit Ekzekutiv të VMRO-DPMNE, ku pritet të zyrtarizohen ndryshimet në përbërjen qeveritare dhe rishpërndarja e resorëve mes partnerëve të koalicionit.
VLEN theksoi se me këtë ekip të ri synon të forcojë qeverisjen dhe të avancojë proceset reformuese në vend, duke premtuar një qasje më efikase dhe përfaqësim më të gjerë institucional.

