Ish-komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Rrustem Mustafa, ka deklaruar se nuk shqetësohet nga përmendja e emrit të tij në aktgjykimin e Dhomave të Specializuara të Kosovës ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.
Duke folur në emisionin “Debat Plus”, Mustafa tha se për të më e rëndësishme është vetë aktgjykimi ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së, të cilin e cilësoi si të padrejtë.
“Verdikti i keq që u dha për bashkëluftëtarët tanë i bën të parëndësishme kush përmendet, çfarë thuhet dhe çfarë ngrihet mbi atë dokument, mbi atë urdhër aktgjykimi që u lexua më 16 shtator. Krejt rëndësitë tjera humbin, e rëndësishme është që është aktgjykim i padrejtë”, ka thënë Mustafa.
Emri i Mustafës u përmend në aktgjykim
Emri i Rrustem Mustafës, së bashku me emrat e Lahi Brahimajt, Fatmir Limajt, Sylejman Selimit, Latif Gashit, Shukri Bujës dhe Sabit Gecit, është përmendur në aktgjykimin e shpallur më 16 shtator, ndonëse ata nuk ishin të pandehur në këtë rast.
Gjatë shpalljes së aktgjykimit, trupi gjykues i Dhomave të Specializuara i përmendi këta persona në kuadër të konstatimeve të tij lidhur me “ndërmarrjen e përbashkët kriminale”.
Mustafa tha se përmendjen e emrit të tij nuk e sheh si diçka që duhet ta shqetësojë.
“Nuk më bën dëm mua që u përdor emri. Unë jam mik me ata që u dënuan. Nuk kam pse të frikësohem”, është shprehur ai.
Mustafa: Lufta e UÇK-së ishte më shumë politike
Duke folur për luftën e UÇK-së, Mustafa tha se ajo kishte zgjatur për një periudhë të shkurtër dhe, sipas tij, kishte pasur karakter më shumë politik.
“Ishte moment i shkurtër lufta e UÇK-së. Lufta jonë ka qenë më shumë politike. Që kemi pas armë, që krismat tona të nihen tek miqtë tanë, tek shtetet e qytetëruara, të cilat u përgjigjën dhe na erdhën në ndihmë”, ka deklaruar Mustafa. Burimi: Debat Plus.

