Sami Lushtaku është liruar në procedurë të rregullt pas intervistimit nga organet e drejtësisë lidhur me incidentin fizik të ndodhur një ditë më parë në Skenderaj, ku u përfshi zyrtari i Lëvizjes Vetëvendosje, Hysni Mehani.
Lajmi është konfirmuar për mediat nga avokatët mbrojtës të Lushtakut, Labinot Vata dhe Besiana Ismajli.
Intervistimi i Lushtakut u zhvillua në kuadër të hetimeve për përplasjen e raportuar në Skenderaj, rast që ka nxitur reagime të shumta politike dhe institucionale.
Para paraqitjes në organet e drejtësisë, Lushtaku reagoi përmes një postimi në Facebook, ku tha se gjithmonë i është përgjigjur institucioneve të drejtësisë dhe ka kërkuar që hetimet të zhvillohen pa ndikime politike.
“Si gjithmonë, edhe sot i përgjigjem drejtësisë. I respektoj institucionet për të cilat unë dhe bashkëluftëtarët e mi kemi luftuar dhe kemi dhënë gjithçka”, ka shkruar Lushtaku.
Ai nuk la pa sulmuar edhe kryeministrin në detyrë, Albin Kurti.
“Për dallim nga Albin Kurti, i cili nuk respekton as Policinë e as Prokurorinë, që Kushtetutën e shkel sa herë i konvenon politikisht, unë i respektoj dhe ju përgjigjem gjithmonë institucioneve të Republikës”, deklaroi ai.
Në fund të reagimit, Lushtaku bëri thirrje për qetësi dhe maturi, duke kërkuar që Prokuroria të veprojë në mënyrë të pavarur.
“Bëj thirrje për qetësi dhe maturi ndërsa shpresoj që Prokuroria të mos instrumentalizohet, por ta kryejë punën e vet në mënyrë të pavarur, pa ndikime dhe pa presion”, përfundoi ai.
Ndërkohë, hetimet për rastin në Skenderaj po vazhdojnë, ndërsa më herët Prokuroria kishte bërë të ditur se dy persona janë ndaluar për 48 orë lidhur me incidentin.

