Zyrtari i PDK-së, Sami Lushtaku, ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të kryeministrit në detyrë Albin Kurti, duke e akuzuar për gënjeshtra dhe shpifje publike, ndërsa ka paralajmëruar se do të nisë procedura ligjore ndaj tij.
Përmes një reagimi publik, Lushtaku mohoi pretendimet e Kurtit për një “tentativë sulmi me makinë” ndaj tij në Skenderaj gjatë vitit të kaluar, duke thënë se rasti është trajtuar dhe mbyllur nga institucionet kompetente.
“Albin Kurti po vazhdon me gënjeshtra e shpifje publike duke pretenduar rrejshëm për një tentativë sulmi me makinë në Skenderaj gjatë vitit të kaluar nga ana ime. Për këtë rast ekziston raport zyrtar policor dhe pamje të kamerave të sigurisë, ku është konstatuar se nuk ka pasur asnjë lloj rreziku të sigurisë në komunikacion dhe rasti është mbyllur nga organet kompetente”, ka deklaruar Lushtaku.
Ai theksoi se, për shkak të vazhdimit të akuzave publike, nga dita e nesërme do të ndërmarrë hapa ligjorë.
“Meqë po vazhdon me shpifje e sulme ndaj meje, nga nesër do të inicioj padi për këtë çështje”, paralajmëroi ai.
Në reagimin e tij, Lushtaku kritikoi edhe qeverisjen e Kurtit, duke e akuzuar për mungesë rezultatesh konkrete.
“Albin, pas 6 vitesh në pushtet, Kosovës nuk i le asnjë projekt madhor, por vetëm propagandë, përçarje dhe viktimizim politik. Mjaft më!”, përfundoi Lushtaku.

