Senatori demokrat amerikan Ro Khanna ka deklaruar se ai dhe delegacioni që e shoqëronte u bllokuan për më shumë se një orë nga kolonë izraelitë të armatosur gjatë një vizite në Bregun Perëndimor, në një incident që ai e përshkroi si një pasqyrë të drejtpërdrejtë të realitetit të jetës nën pushtim.
Ngjarja ndodhi në zonën e Turmus Ayya, ku Khanna po vizitonte një fshat palestinez që, sipas tij, ishte dëmtuar nga sulmet e kolonëve.
“Po vizitonim një vend që kolonët izraelitë e kishin shkatërruar. Ata kishin dëmtuar shkollën dhe pjesë të fshatit. Papritur u shfaqën kolonë të armatosur me pushkë M4, të prodhuara në Shtetet e Bashkuara, bllokuan rrugën dhe më pas thirrën Forcat e Mbrojtjes së Izraelit (IDF), të cilat u rreshtuan në anën e tyre”, deklaroi Khanna për agjencinë Reuters.
Sipas bashkëpunëtorit të tij Cameron Kasky, grupi mbeti i bllokuar për më shumë se një orë dhe kërkoi ndihmën e Ambasadës së SHBA-së në Jerusalem. Situata u zgjidh vetëm pasi në vendngjarje mbërritën forca të sigurisë, të cilat larguan kolonët dhe lejuan delegacionin të vazhdonte rrugën.
Pas incidentit, Khanna reagoi edhe në rrjetin social X, duke shkruar shkurt: “Kanë bërë një gabim të madh.”
Nga ana tjetër, Forcat e Mbrojtjes së Izraelit (IDF) konfirmuan se ndërhynë pas raportimeve për kolonë që po bllokonin automjete pranë Khirbet Zanuta, një fshat palestinez banorët e të cilit janë zhvendosur pas sulmeve të kolonëve që pas ngjarjeve të tetorit 2023.
Sipas deklaratës së ushtrisë izraelite, ushtarët dhe policia shpërndanë civilët izraelitë dhe siguruan kalimin e automjeteve, pa dhënë detaje të tjera mbi incidentin. Ndërkohë, Ambasada e SHBA-së në Jerusalem dhe policia izraelite nuk kanë komentuar publikisht rastin.
Vizita e Khannës vjen në një kohë kur ai konsiderohet një nga emrat e mundshëm demokratë për garën presidenciale amerikane të vitit 2028. I pyetur nëse synon të kandidojë për Shtëpinë e Bardhë, ai u përgjigj:
“Po e mendoj seriozisht dhe pas këtij udhëtimi jam edhe më i vendosur për ta bërë këtë.”
Incidenti ka rikthyer vëmendjen mbi tensionet në Bregun Perëndimor, ku përplasjet mes kolonëve izraelitë dhe palestinezëve, si dhe kritikat ndërkombëtare për sigurinë dhe lirinë e lëvizjes, vazhdojnë të jenë objekt debatesh të forta politike dhe diplomatike.

