Shaip Kamberi ka bërë të ditur se, sipas rezultateve preliminare, “Koalicioni Shqiptar” ka siguruar dy mandate në Kuvendin e Serbisë dhe është në garë për ta fituar edhe mandatin e tretë.
Në një postim në Facebook, Kamberi ka bërë të ditur se koalicioni ka marrë 27.230 vota. Sipas tij, me rritjen prej 35 për qind të koeficientit zgjedhor për pakicat kombëtare, kjo përfaqëson vlerën llogaritëse prej 36.761 votash.
Kamberi e ka cilësuar këtë rezultat si një arritje historike, duke ia atribuar bashkimit politik dhe besimit të qytetarëve të Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës.
Si prijës i listës, ai ka falënderuar qytetarët për mbështetjen, subjektet politike për bashkimin dhe kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, për angazhimin e tij.
“Bashkë në zgjedhje, bashkë në përfaqësim, bashkë për të drejtat tona!”, ka shkruar Kamberi.
Rezultati përfundimtar do të përcaktojë nëse përfaqësimi politik shqiptar në Kuvendin e Serbisë do të përbëhet nga dy apo tri ulëse.

