Partia Përparimtare Serbe (SNS), e udhëhequr nga Aleksandar Vuçiqi, ka humbur zgjedhjet e parakohshme parlamentare, sipas të dhënave paraprake të organizatës monitoruese CRTA. Lista Studentore kryeson me 51,7 për qind të votave, ndërsa SNS-ja ka marrë 40,42 për qind, bazuar në një mostër vendvotimesh.
Aleksandar Vuçiqi e ka pranuar humbjen rreth një orë e gjysmë pas mbylljes së vendvotimeve, duke deklaruar se Lista Studentore ka fituar zgjedhjet.
“Në bazë të mostrës, është e qartë se i kemi humbur këto zgjedhje. Ka fituar Lista Studentore”, ka thënë Vuçiqi në shtabin e partisë së tij në Beograd.
Ai ka deklaruar se Lista Studentore mund të sigurojë nga 135 deri në 140 mandate, ndërsa SNS-ja rreth 105. Sipas tij, SNS-ja ka marrë afërsisht 1,72 milion vota, ndërsa Lista Studentore rreth 2,2 milionë.
Pas pranimit të humbjes, Vuçiqi ka vazhduar ta kritikojë Listën Studentore, duke e akuzuar për bllokim dhe dëmtim të interesave të Serbisë. Ai gjithashtu ka pretenduar se fitorja e saj është ndihmuar nga shtete që, sipas tij, nuk ia duan të mirën Serbisë.
Festa në shtabin e Listës Studentore
Në shtabin e Listës Studentore, e cila garoi me sloganin “Studentët fitojnë”, kandidatët dhe studentët kanë festuar rezultatet, duke kënduar dhe brohoritur “Fitore”.
“Kurrë më tiranë në vendin tonë”, ka deklaruar Ilija Sërdanoviq, i pari në listën e kandidatëve të kësaj lëvizjeje.
Zgjedhjet janë shoqëruar me raportime për incidente dhe parregullsi, ndërsa rezultatet e paraqitura nga CRTA bazohen në një mostër vendvotimesh.
SPS-ja rrezikon të mbetet jashtë parlamentit
Sipas të dhënave të CRTA-s, Partia Socialiste e Serbisë (SPS), e udhëhequr nga Ivica Daçiqi, ka marrë pak më shumë se 2 për qind të votave, duke mbetur nën pragun zgjedhor prej 3 për qind.
Sipas rezultateve paraprake, ulëse në parlament pritet të sigurojnë edhe partitë e pakicave, përfshirë ato shqiptare dhe hungareze, ndërsa mundësi për përfaqësim kanë edhe partitë boshnjake.
Rezultatet përfundimtare pritet të përcaktojnë përbërjen e re të Kuvendit të Serbisë.

