Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka realizuar një test rutinë të raketës balistike ndërkontinentale LGM-30G Minuteman III, në kuadër të vlerësimit të gatishmërisë operacionale të sistemit strategjik bërthamor.
Testi u krye nga Baza Hapësinore Vandenberg dhe u organizua nga Komanda Globale e Sulmit e Forcave Ajrore të SHBA.
Autoritetet amerikane theksuan se lëshimi ishte planifikuar vite më parë dhe nuk lidhet me zhvillimet aktuale gjeopolitike. Testi, i identifikuar si GT-256, kishte për qëllim verifikimin e funksionimit të sistemeve të shtytjes, navigimit dhe rihyrjes së raketës në kushte ekstreme.
Gjenerali S.L. Davis deklaroi se testime të tilla janë thelbësore për sigurinë kombëtare amerikane.
“Ky lëshim verifikon shëndetin dhe gatishmërinë e forcës sonë ICBM dhe konfirmon aftësinë e sistemit për të përmbushur misionin”, tha ai.
Raketa Minuteman III, e cila hyri në përdorim në vitin 1970, është pjesë e triadës bërthamore amerikane dhe aktualisht SHBA disponon rreth 400 raketa të vendosura në baza të fortifikuara në shtete si Wyoming, Montana, Colorado, Dakota e Veriut dhe Nebraska.
Sipas të dhënave zyrtare, sistemi mund të godasë objektiva në distanca mbi 6 mijë milje dhe është përditësuar disa herë gjatë dekadave përmes programeve të zgjatjes së jetës operative.
Ndërkohë, SHBA po përgatitet për zëvendësimin gradual të këtij sistemi me raketën e re LGM-35A Sentinel, e cila pritet të nisë zëvendësimin e Minuteman III në vitet e ardhshme.
Programi i ri synon të garantojë funksionimin e forcës strategjike amerikane deri rreth vitit 2075, me modernizim të infrastrukturës, sistemeve të kontrollit dhe kokave bërthamore të gjeneratës së ardhshme.

