Kryetarja e Komitetit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Serbi, Sonja Biserko, ka deklaruar se në Kosovë ende ekzistojnë shumë lokacione të dyshuara për varreza masive të pazbuluara, të cilat, sipas saj, dëshmojnë për përmasat e krimeve të kryera gjatë luftës së vitit 1998–1999.
Në një intervistë për Klan Kosovën, Biserko tha se çdo zbulim i ri i mbetjeve mortore rikthen në qendër të vëmendjes çështjen e përgjegjësisë për krimet e luftës dhe nevojën për një përballje më të plotë me të kaluarën.
“Ende ka shumë varreza të cilat nuk janë zbuluar dhe të cilat tregojnë për masivitetin e krimeve që Serbia i ka kryer në Kosovë, por edhe në Bosnje e Kroaci”, deklaroi Biserko.
Kritika për mungesën e ndjekjes së përgjegjësive
Biserko vlerësoi se, ndonëse Tribunali Ndërkombëtar për Krimet në ish-Jugosllavi në Hagë ka dënuar disa figura të larta politike dhe ushtarake serbe për krime të kryera gjatë luftërave në ish-Jugosllavi, proceset gjyqësore në Serbi nuk kanë vazhduar në mënyrë të mjaftueshme ndaj personave të niveleve më të ulëta të përfshirë në operacionet ushtarake.
Ajo përmendi rastin e Brigadës së 37-të të Motorizuar të Ushtrisë Jugosllave, e cila, sipas saj, ishte përfshirë në operacione gjatë luftës në Kosovë. Në këtë kontekst, ajo përmendi edhe ish-komandantin e kësaj brigade, Lubisha Dikoviq, i cili më vonë u emërua shef i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë së Serbisë.
Dëshmitarët përballen me presione
Biserko foli gjithashtu për rastet kur persona që kanë dhënë informacione për lokacione të dyshuara janë përballur me presione.
Ajo përmendi rastin e një personi nga Istogu, i cili, sipas saj, kishte treguar vendndodhjen e një varri në Zubin Potok dhe më pas ishte arrestuar nga Agjencia e Sigurisë dhe Informacionit të Serbisë (BIA).
Sipas saj, personat që flasin për përgjegjësinë e institucioneve serbe për krimet e luftës përballen me vështirësi për shkak të narrativës zyrtare në Serbi, ku dominon ideja se serbët ishin viktimat kryesore të shpërbërjes së Jugosllavisë.
“Arkivat serbe do të ndihmonin në zbardhjen e rasteve”
Biserko theksoi se hapja e arkivave ushtarake dhe policore të Serbisë do të ishte një hap i rëndësishëm për identifikimin e personave përgjegjës për krimet e kryera në Kosovë.
Megjithatë, ajo vlerësoi se është e vështirë të pritet që autoritetet në Beograd të pranojnë një kërkesë të tillë, për shkak të qëndrimeve politike që vazhdojnë të mbizotërojnë në Serbi.
Ajo rikujtoi se gjatë luftës në Kosovë mbi 800 mijë shqiptarë u dëbuan drejt Shqipërisë, Malit të Zi dhe Maqedonisë së Veriut, ndërsa shumë prej tyre u përballën edhe me shkatërrimin apo humbjen e dokumenteve personale.
Sipas Biserkos, përgjegjësia për krimet e luftës nuk lidhet vetëm me formacionet paraushtarake, por edhe me pjesëmarrjen e njësive të rregullta të Ushtrisë Jugosllave në operacionet gjatë konfliktit.
