Një operacion i gjerë i SPAK, në bashkëpunim me Policia e Shtetit, ka goditur një grup të strukturuar kriminal të dyshuar për trafik të lëndëve narkotike dhe pastrim të parave në shuma të konsiderueshme.
Në kuadër të këtij aksioni, prokuroria ka lëshuar 20 masa sigurie, ndërsa deri më tani është arrestuar biznesmeni Orest Sota.
Ndërkohë, masa e sigurisë “arrest me burg” është caktuar edhe ndaj biznesmenëve Artur Shehu dhe Ilir Shtufi, të cilët ndodhen jashtë territorit të Shqipërisë dhe aktualisht janë shpallur në kërkim.
Sipas dyshimeve të hetuesve, Shehu dhe Shtufi akuzohen se kanë luajtur rol në pastrimin e parave që dyshohet se burojnë nga aktiviteti i trafikantëve të drogës.
Emri i Ilir Shtufi është përmendur edhe për shkak të lidhjeve të tij me Shkëlzen Berisha, ndërsa Artur Shehu njihet si një prej pronarëve të tokës në Zvërnec, ku është planifikuar ndërtimi i një resorti luksoz.
Operacioni i SPAK-ut vijon, ndërsa priten detaje të reja lidhur me shtrirjen e aktivitetit kriminal, rrjetin e personave të përfshirë dhe vlerën e aseteve që dyshohet se janë krijuar nga aktiviteti i paligjshëm.

