Pas dështimit të bisedimeve në Islamabad, Irani duket se ka ndryshuar strategji, duke synuar drejtpërdrejt Evropën për të dobësuar lidhjen e saj me Shtetet e Bashkuara dhe për të krijuar një përçarje brenda Perëndimit.
Sipas analizave të fundit, Teherani po luan një “kartë të re”, duke shfrytëzuar pasiguritë dhe hezitimin e Bashkimit Evropian përballë krizës në Lindjen e Mesme. Lufta ka filluar të godasë rëndë ekonomitë evropiane, me kosto që tashmë arrijnë në miliarda euro dhe me rrezik për inflacion dhe stagnim ekonomik.
Në këtë kontekst, Irani synon të shfrytëzojë dobësinë e Evropës për ta tërhequr atë më larg nga politika amerikane. Një nga mjetet kryesore të kësaj strategjie është Ngushtica e Hormuzit, e cila mund të shndërrohet në një korridor me pagesë për transportin detar global. Sipas skenarëve të diskutuar, anijet mund të detyrohen të paguajnë për kalim, madje edhe përmes kriptovalutave, duke shmangur kështu sanksionet amerikane.
Në të njëjtën kohë, çështja e programit bërthamor mbetet një tjetër levë presioni. Negociatat e gjata nuk kanë sjellë rezultat, ndërsa Irani po përpiqet të përfshijë më shumë vendet evropiane në diskutime, duke i nxjerrë ato nga roli dytësor që kishin deri më tani.
Ndërkohë, në Evropë po rritet debatit për një qasje më të pavarur nga Uashingtoni. Disa vende po shqyrtojnë mundësinë e një angazhimi më diplomatik me Teheranin, ndërsa të tjera mbeten të kujdesshme për shkak të tensioneve dhe sanksioneve ekzistuese.
Një tjetër element kyç është edhe Libani, ku Irani kërkon mbështetje për aleatët e tij, ndërsa vendet evropiane po shtyjnë për përfshirjen e Bejrutit në proceset diplomatike dhe për ndalimin e përshkallëzimit të konfliktit.
Në sfond, përplasja SHBA–Evropë duket se po thellohet, ndërsa Irani përpiqet ta shfrytëzojë këtë hendek për të avancuar interesat e tij strategjike. Mes krizës energjetike, presionit ekonomik dhe pasigurive gjeopolitike, Evropa gjendet përballë një zgjedhjeje të vështirë: të qëndrojë në linjën e Uashingtonit apo të ndjekë një kurs më të pavarur.

