Gjykata Supreme ka edhe dy ditë afat ligjor për të vendosur lidhur me pesë ankesat e paraqitura nga subjektet politike dhe kandidatët që kundërshtojnë rezultatet e zgjedhjeve të 7 qershorit.
Nga kjo gjykatë kanë bërë të ditur se ankesat janë ende në shqyrtim dhe se vendimet do të merren brenda afatit pesëditor të paraparë me ligj.
“Ju njoftojmë se ankesat administrative të paraqitura në Gjykatën Supreme kundër vendimeve të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) janë duke u shqyrtuar. Vendimet do të merren brenda afatit ligjor prej pesë ditësh nga data e pranimit të ankesave”, thuhet në përgjigjen e Gjykatës Supreme.
Në pritje të këtyre vendimeve është edhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ). Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka deklaruar se nëse vendimet e Gjykatës Supreme nuk përmbajnë obligime për KQZ-në, institucioni do të procedojë menjëherë me certifikimin e rezultateve përfundimtare. Në të kundërtën, fillimisht do të zbatohen obligimet e përcaktuara nga Gjykata, e më pas do të bëhet certifikimi.
Monitoruesit e procesit zgjedhor vlerësojnë se me përfundimin e shqyrtimit të ankesave në Gjykatën Supreme mbyllet edhe faza e mjeteve juridike, duke i hapur rrugë certifikimit të rezultateve. Pas këtij procesi, subjektet politike dhe kandidatët nuk do të kenë më të drejtë të paraqesin ankesa lidhur me rezultatin zgjedhor.
Sipas Vullnet Bugaqkut nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), praktika dhe interpretimet e Gjykatës Kushtetuese e bëjnë të qartë se afati 30-ditor për konstituimin e Kuvendit fillon të llogaritet nga dita e certifikimit të rezultateve.
“Kemi interpretime dhe vendime të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, të cilat e kanë bërë të qartë se afati 30-ditor për konstituimin e Kuvendit duhet të fillojë të llogaritet nga dita e certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve. Pres që deputetët, sapo të certifikohen rezultatet, të mblidhen dhe ta konstituojnë sa më shpejt Kuvendin, pasi ky afat i obligon jo vetëm të thërrasin seancën, por edhe ta përfundojnë atë brenda 30 ditëve”, tha Bugaqku.
Ai shtoi se mbetet ende e paqartë se çfarë pasojash juridike do të kishte mosrespektimi i këtij afati, pasi kjo çështje nuk është e përcaktuar qartë as në Kushtetutë dhe as në Rregulloren e Punës së Kuvendit.
Aktualisht, në Gjykatën Supreme janë duke u shqyrtuar ankesat e Listës Serbe, Partisë së Re Demokratike, si dhe të dy kandidatëve të PDK-së për deputetë, Bekim Haxhiu dhe Qëndrim Kryeziu.
Supremja edhe dy ditë afat për ankesat zgjedhore, certifikimi i rezultateve pritet pas vendimit
Please login to join discussion

