Administrata amerikane duket se ka hapur një front të ri diplomatik ndaj Kubës, teksa raportimet nga Axios zbulojnë se sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, ka zhvilluar bisedime sekrete me Raul Guillermo Rodriguez Castro, nipin dhe kujdestarin de facto të ish-udhëheqësit kuban Raul Castro.
Sipas raportit, këto kontakte po zhvillohen jashtë kanaleve zyrtare të qeverisë kubane, duke sinjalizuar se Uashingtoni e konsideron ende Raul Castron si figurën reale të vendimmarrjes në Havana.
Një zyrtar i lartë i administratës Trump ka bërë të ditur se këto nuk janë negociata formale, por diskutime për të ardhmen e Kubës.
“Nuk do t’i quaja negociata, por diskutime për të ardhmen,” citohet të ketë thënë zyrtari.
Rubio dhe ekipi i tij raportohet se e shohin 41-vjeçarin Raul Guillermo, i njohur me nofkën “El Cangrejo” (Gaforrja), si pjesë të një brezi më pragmatik dhe me orientim ekonomik, që mund të jetë më i hapur ndaj afrimit me SHBA-në.
Raporti vjen në një moment kur Kuba po përballet me një krizë të rëndë të brendshme: kolaps energjetik, mungesë ushqimesh dhe karburanti, kufizime në spitale dhe rënie të turizmit.
Sipas burimeve, strategjia e administratës Trump mund të ngjajë me modelin e ndjekur në Venezuelë, ku SHBA ndërhyri kundër Nicolas Maduros, por la disa figura të pushtetit në sistem për të garantuar tranzicionin.
Burime pranë bisedimeve thonë se Uashingtoni po kërkon “Delcy Rodriguez-in e ardhshëm” në Kubë, duke iu referuar figurave të brendshme që mund të shërbejnë si urë për ndryshime politike pa rrëzim total të strukturës së regjimit.
Sipas raportit, disa anëtarë të familjes Castro mund të mos detyrohen të largohen nga Kuba nëse arrihet një marrëveshje politike me SHBA-në — një skenar që mund të shkaktojë reagime të forta te komuniteti kubano-amerikan në Florida.
Edhe vetë presidenti Donald Trump ka konfirmuar se kontaktet me Kubën janë aktive.
“Po flasim me Kubën tani… dhe ata duhet absolutisht të bëjnë një marrëveshje,” është shprehur Trump.

