Të gjithë 63 minatorët e Trepçës që kishin mbetur të bllokuar mbrëmë në minierën e Stantërgut kanë dalë nga nëntoka dhe janë në gjendje të mirë shëndetësore.
Lajmin e ka konfirmuar drejtori i Trepçës, Shyqyri Sadiku.
“Po, të gjithë minatorët e bllokuar kanë dalë dhe janë mirë me shëndet”, deklaroi Sadiku.
Minatorët kishin mbetur të bllokuar në horizontet e minierës pas një defekti në sistemin e furnizimit me energji elektrike.
Defekti kishte ndodhur rreth orës 19:30, si pasojë e djegies së linjave të tensionit të lartë dhe një problemi në trafostacionin e tunelit të parë.
Një pjesë e minatorëve kishin nisur të dilnin përmes daljeve alternative, ndërsa më pas të gjithë janë nxjerrë nga miniera.
Sipas drejtorit të Trepçës, nuk raportohet për të lënduar.

